Fonseca në “fije të perit”, Allegri gati që t’i marrë vendin
Massimiliano Allegri është i gatshëm të marrë drejtimin e Romës pikërisht tani që pronarët Friedkin kanë dyshime serioze për Fonsecan. Trajneri nga Livorno është i disponueshëm për të biseduar me pronarët e rinj të Romës. Ai dëshiron të njohë projektin dhe të kuptojë nëse skuadra është konkurruese.
Gjatë verës, 53-vjeçari kishte kontakte me Paris Saint Germain dhe Interin, por klubi që e ka stolin të tronditur, për momentin, është Roma. Allegri e ka patur stekën të lartë: kërkonte 10 milionë euro në sezon, por në rastin e Romës duhet t’i ulë pretendimet financiare.
Sezoni i Romës nuk filloi pozitivisht. Barazimi me Veronën shumë shpejt u bë humbje, për shkak të një gabimi trashanik në protokoll. Nëse klubi verdhekuq ka nisur të mendojë për pasuesin e Fonsecas, zgjidhja optimale do të ishte Allegri.
Maurizio Sarri është ende i lidhur në kontratë me Juventusin (merr ende pagën nga bardhezinjtë) dhe Ralf Rangnick, i cili u takua me Friedkin në Londër një muaj më parë, konsiderohet më shumë drejtues i suksesshëm sesa trajner.