Forma dhe parashikimet e duelit historik Kosovë-Turqi, ja kush është favorit
Vetëm 90 minuta e ndajnë Kosovën nga një arritje historike: kualifikimi në fazën finale të Kupës së Botës 2026. Rreth një dekadë pas pranimit në UEFA dhe FIFA (më 2016), përfaqësuesja dardane ka sot shansin më të madh në historinë e saj.
Sfida vendimtare Kosovë-Turqi do të zhvillohet në Prishtinë, duke nisur nga ora 20:45, në një atmosferë që pritet të jetë elektrizuese. Përballë do të jetë një kundërshtar i fortë si Turqia, e cila gjithashtu nuk ka shumë eksperiencë në Botëror, me vetëm dy pjesëmarrje (1954 dhe 2002). Skuadra turke, e drejtuar nga Vincenzo Montella, synon kualifikimin e tretë historik dhe pritet të japë maksimumin në këtë duel.
Kosova vjen në këtë finale pas një fitoreje dramatike 4-3 në transfertë ndaj Sllovakisë, ku përmbysi dy herë rezultatin. Në anën tjetër, Turqia mposhti Rumaninë 1-0, duke dominuar në posedim dhe raste, por me efikasitet të kufizuar para portës.
Forma e fundit favorizon disi Kosovën, e cila ka humbur vetëm një nga 12 ndeshjet e fundit (9 fitore dhe 2 barazime). Turqia ndërkohë ka 5 fitore, 1 humbje të thellë dhe 1 barazim në përballjet e fundit.
Sipas parashikimeve të basteve, Turqia konsiderohet favorite, ndërsa fitorja e Kosovës kuotohet më lart. Opsioni që të dy ekipet shënojnë gol mbetet një nga më të mundshmit, bazuar në formën sulmuese të të dyja skuadrave. Gjithçka është gati për një mbrëmje historike në Prishtinë, ku Kosova synon të shkruajë kapitullin më të madh në historinë e saj futbollistike.
KOHA JONË SONDAZH

