FORMULA1/ Norris, lot gëzimi: Kemi shkruar histori, tani e di çfarë ndjen Max

Lando Norris ka shkruar historinë në Formula 1, duke u kurorëzuar kampion bote pas një gare të fundit dramatike në Abu Dhabi. Britaniku i McLaren-it, i cili duhej të duronte presionin e madh deri në xhiron e fundit, arriti të mposhtte Max Verstappen, fituesin e Çmimit të Madh, me vetëm dy pikë diferencë, duke siguruar titullin e tij të parë botëror. Menjëherë pas fitores, emocionet e Norris shpërthyen në radio: “Faleminderit djem. Oh Zot, keni shkruar histori. Faleminderit shumë, ju dua djem. Ju meritoni gjithçka. Të dua baba, të dua mami. Faleminderit për gjithçka. Nuk po qaj…”, ishin fjalët e tij të përlotura.

Pas zbritjes nga monoposti dhe përqafimit me të dashurit e tij, Norris u shfaq thellësisht i emocionuar edhe në intervistën pas garës me David Coulthard. “Oh Zot. Nuk kisha qarë prej kohësh. Ka qenë një rrugëtim i gjatë, shumë i gjatë,” tha ai, duke shtuar me shaka: “Nuk po qaj (qesh). Dua të falënderoj prindërit e mi, ata më kanë mbështetur që në fillim. Dukem si një humbës tani…”. Më pas, nga podiumi, ai reflektoi mbi vitin e tij: “Kam përjetuar një vit surreal, me shumë ulje-ngritje. Kërkon të arrish diçka dhe ia del, është e pabesueshme. Faleminderit ekipit, prindërve të mi dhe të dashurës sime që kanë vuajtur me mua këto ditë. Jam krenar që kam luajtur një rol në historinë e F1, jam mirënjohës mamit dhe babit që më dhanë mundësinë të ndjek ëndrrën.”

Në mikrofonat e Formula 1, Norris nuk ngurroi të komplimentonte edhe rivalët e tij. “Është një ndjenjë fantastike (të jesh kampion). Tani e di pak a shumë se çfarë ndjen Max. Dua ta përgëzoj atë dhe Oscar-in, rivalët e mi gjatë gjithë sezonit. Ka qenë një nder të garoja kundër tyre, kam mësuar shumë prej tyre. Ka qenë një vit i gjatë, por ia dolëm. Jam shumë krenar për të gjithë.” Kampioni i botës komentoi edhe garën e Abu Dhabit, të cilën e mbylli në pozicionin e tretë, vendi minimal që i duhej për t’u shpallur kampion. “Mendova pak për titullin sot, nuk mund të mos e bëja. Gara ishte shumë e gjatë dhe e dinim. E dimë që në F1 mund të ndodhë gjithçka. Unë vazhdova të shtyja deri në dy-tre xhirot e fundit, pastaj e ngrita pak këmbën. Doja të luftoja deri në fund, siç kemi bërë gjatë sezonit me Max-in që u përpoq të rimarrë pozicionin deri në fund dhe Oscar-in që rikuperoi disa pikë në garat e fundit. Sigurisht që nuk ma bënë jetën të lehtë.”

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?