FOTO/ Ekipi kuqezi nis përgatitjet për dy ndeshjet e ardhshme, 24 lojtarë nën urdhrat e trajnerit Silvinjo

Kombëtarja shqiptare nisi këtë të hënë përgatitjet për dy ndeshjet miqësore ndaj Kilit (22 mars, stadiumi ‘Ennio Tardini’, ora 20:45) dhe Suedisë (25 mars, stadiumi ‘Friends Arena’, ora 19:00).

Kuqezinjtë zhvilluan pasditen e sotme seancën e parë stërvitore në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ku fillimisht punuan në palestër, ndërsa më pas dolën në fushën e lojës, aty ku zhvilluan edhe stërvitjen e parë zyrtare.

Në këtë seancë të parë të stërvitjes, nën drejtimin e trajnerit Silvinjo janë stërvitur 24 lojtarë, një pjesë e të cilëve morën ngarkesë të plotë fizike, ndërsa lojtarët që kanë luajtur dje në kampionatet respektive u stërvitën veçmas. Në bashkëpunim me ekipin kombëtar U-21, kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore të përbashkët.

Qazim Laçi dhe Naser Aliji do të bashkohen gjatë mbrëmjes me ekipin kuqezi, me lojtarët që do të marrin pjesë rregullisht në seancën e radhës stërvitore që do të zhvillohet nesër.

Kombëtarja do të qëndrojë në Tiranë deri të enjten në mëngjes për t’u nisur më pas drejt Italisë, ku pasdite do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore në kuadër të ndeshjes me Kilin, që do të luhet në stadiumin ‘Ennio Tardini’, Parma më 22 mars, duke nisur nga ora 20:45.

SHKARKO APP