Franc Veliu: Po përbaltet pa arsye fanella e Flamurtarit
Kapiteni i Flamurtarit, Franc Veliu ka shpërthyer në prag të ndeshjes me Skënderbeun dhe pas takimit të përfolur me Partizanin, duke sqaruar në profilin e tij “facebook” se as ai dhe as lojtarët nuk kanë toleruar apo lënë ndeshjen në favor të Partizanit. – “Të dashur tifozë të zjarrtë të Flamurtarit. Të dashur qytetarë të Vlorës. Duhet të dimë dhe mbi të gjitha të ndiejmë si tifozë dhe si qytetarë, se ajo ndeshje që ne luajtëm ndaj Partizanit, nuk ishte më e mira e jona. Më vjen keq, që hidhet baltë mbi djersën, dinjitetin dhe imazhin e çdo lojtari dhe mbi të gjitha imazhin e klubit,” – shprehet Veliu. – “Jam i bindur dhe ju siguroj, që çdo gjë që thuhet është e pa vërtetë. Më vjen keq që fjalët po na shtyjnë në këtë gropë thithëse dhe të jeni të sigurtë, që organet kompetente do të zbardhin çdo gjë. Jemi të shokuar që aludohet për lënie, apo shitje ndeshjeje. Duhet të pranojmë që kemi një ekip modest, mund të mundim këdo në mënyrën më të bukur dhe mund të na mund kushdo në mënyrën më të shëmtuar. Kjo është pjesë e futbollit dhe asnjë nuk e zgjedh dot. Asnjë nuk do të shiste një ndeshje për një shifër parash, që është 6-7 apo 10 herë më e vogël se rroga mujore e një futbollisti të Flamurtarit.” – thekson ai. – “Çdo futbollist i Flamurtarit nuk ka arsye dhe mbi të gjitha nevojë të bëj diçka të tillë duke pasur kontrata aq të mira. Çdo gjë është kontradiktore me atë që flitet. Nëse do te keni informacion të saktë, nëse do të keni zgjuarsinë, nëse do të keni dashamirësin, bujarinë dhe shpirtin e pastër të një tifozi do të kuptoni, se fjalët që thuhen janë pjesë e jetës, e një zinxhiri dashakeq që s’ka lidhje me Flamurtarin dhe futbollin që ne luajmë,” – shprehet kapiteni i Flamurtarit. – “Ju keni të drejtë të indinjoheni, keni të drejtë të kritikoni, keni të drejtë të flisni për një ndeshje të dobët të Flamurtarit, por jo për lënie e shitje të ndeshjeve. Më besoni,” – thekson Franc Veliu. Pas ndeshjes me Partizanin, bordi drejtues i Flamurtarit është mbledhur dhe e denoncoi atë në prokurori, duke kërkuar që përgjegjësit të përjashtohen përgjithnjë nga futbolli. Por Veliu ka dalë kundër kësaj nisme, me pretendimin se nuk ka pasur shitje të ndeshjes.
KOHA JONË SONDAZH

