Franca fiton me një autogol ndaj Gjermanisë, dy golat e tjerë nuk ia quajti gjyqtari
Franca e nis me këmbën e mbarë “Euro 2020”, duke rrëmbyer një fitore minimale ndaj Gjermanisë. Finalja e parakohshme e këtij edicioni dhuroi shumë emocione, por kampionët e botës në fuqi ishin më dominues me yjet si Mbappe, Benzema dhe Pogba. Franca krijoi shansin e parë në minutën e 16-të me Pogba, i cili goditi topin me shpatull shumë pranë zonës. Disa sekonda më pas, Mbappe vendos në provë reflekset e portierit Neuer. Gjithsesi goli nuk do të vononte shumë.
Në minutën e 20-të, Pogba shërben një pasim të bukur për Hernandez, i cili më pas tenton të shërbejë për shokët e tij në zonë, por topi shkon te Hummels, i cili e devijon në rrjetën e tij. Ky është autogoli i tretë në Europian, teksa më parë kanë bërë të njëjtën gjë edhe Demiral e Szczesny. Pas golit Gjermania përpiqet të reagojë, teksa Ilkay Gundogan kishte një mundësi të artë në minutën e 38-të nga shumë pranë zonës, por goditja e tij shkoi jashtë. Në fillimin e pjesës së dytë, Gnabry provoi fluturimthi brenda zonës, por gjuajtja e tij shkoi shumë pranë traversës.
Në minutën e 66-të, Mbappe dhuron spektakël me një veprim shumë të bukur duke e dërguar topin në cepin e portës, por që do të anulohej për pozicion jashtë loje. Në të 78-ën ylli i PSG-së rrëzohet brenda zonës pas një ndërhyrje të Hummels, por për arbitrin nuk ishte asgjë. 5 minuta nga fundi i ndeshjes, Franca dhuron spektakël duke gjetur golin e dytë me një kundërsulm perfekt të Mbappe, i cili shërben me portën e boshatisur Benzema, por të dy ishin në pozicion të parregullt. Super dueli dhuroi emocione të shumta deri në fund, teksa arbitri akordoi 6 minuta shtesë, por rezultati mbeti 1-0 për francezët./Rozalb Lika-Koha Jone/