Franca fiton ndaj Danimarkës dhe kualifikohet, shkëlqen Mbappe me dopietë (VIDEO)

Franca ka arritur një fitore shumë të rëndësishme 2-1 ndaj Danimarkës, duke siguruar një biletë për në turin tjetër të Kupës së Botës. Skuadra e Deschamps zhvilloi një lojë fantastike duke dominuar me raste të shumta shënimi në pjesën e parë.

Christiansen shpëtoi ekipin e tij në minutën e 20-të, duke ndalur Mbappe që po shkonte i vetëm përballë portierit, por ia hodhi vetëm me karton të verdhë. Pak sekonda më pas Rabiot godet mjaft bukur me kokë, por Schmeichel i përgjigjet në të njëjtën mënyrë.

Në minutën e 30-të,goditja e Kounde u ndal nga një mbrojtës pasi po shkonte drejt rrjetës. Griezmann gjithashtu do të ndalej nga portieri, ndërkohë që Danimarka ju afrua golit vetëm me një goditje të Cornelius.

Rezultati do të zhbllokohej në fillimin e pjesës së dytë. Në minutën e 60-të, Kylian Mbappe merr një top nga Theo Hernandez dhe më pas godet saktë në qendër të portës. Danimarka reagoi shumë shpejt në minutën e 68-të, mbrojtësi Christiansen shfrytëzon përgjumjen e mbrojtjes franceze për ta devijuar topin me kokë në rrjetë.

Gjithsesi edhe pse me shumë vështirësi Franca ia doli të rikthehej në avantazh 5 minuta nga fundi i ndeshjes. Kylian Mbappe shënon golin e dytë me një devijim të lehtë shumë pranë portës, pasi mori një asist nga Griezmann. Franca ngjitet në kuotën e 6 pikëve, e ndjekur nga Australia me 3, Danimarka dhe Tunizia me nga 1. /R.Lika-Koha Jonë/

 

SHKARKO APP