Franca vjen me yjet, për miqësoren e 13 qershorit në Shqipëri
Franca vjen me yjet në Shqipëri. Vendi organizator i “Euro 2016” do të luajë një ndeshje miqësore me Shqipërinë më 13 qershor dhe në tapetin e gjelbër të “Elbasan Arena” për t’u përballur me Shqipërinë e Gianni de Biasit. Trajneri i bluve Didier Deschamps publikoi listën e 24 futbollistëve që do të përfaqësojnë “Gjelat” në dy ndeshjet miqësore të muajit qershor fillimisht ndaj Belgjikës në Stade De France dhe më pas kundër Kombëtares Kuqezi në Elbasan. Janë të shumtë lojtarët që zotërojnë një klas të jashtëzakonshëm në listën e Francës. Ndaj Shqipërisë përfaqësuesja e gjelave do të udhëhiqet nga emra të tillë si Paul Pogba, Patrice Evra, Raphael Varane, Olivier Giroud dhe Antoine Griezmann. Mungesa e madhe për Francën do të jetë ajo e sulmuesit të Realit të Madridit Karim Benzema, i cili nuk është grumbulluar nga Deschamps për arsye dëmtimi. Tre janë portierët e përzgjedhur nga trajneri i bluve, ku spikat Hugo Lloris, dhe po ashtu edhe Mandanda dhe Ruffier. Në mbrojtje përveç rikthimit në kombëtare të Patrice Evra por edhe të konfirmuarit Raphael Varane, Deschamps ka grumbulluar edhe lojtarë të tillë si Jallet, Koscielny, Mangala, Sakho e Tremoulinas. Të një niveli shumë të lartë janë edhe mesfushorët ku përveç Pogba janë thirrur edhe Cabaye, Gonalons, Kondogbia, Matuidi, Payet dhe Moussa Sissoko. Sulmi është një nga pikat më të forta të Francës dhe mbrojtja e kombëtares sonë nuk duhet të bëjë kujdes vetëm nga Giroud dhe Griezmann, por edhe dyshja e talentuar e Lyon, Lacazzete-Fekir e Valbuena apo edhe risia N’Tep që kompletojnë listën prej 24 emrash të publikuar nga Deschamps. Përballë Francës Shqipëria do të synojë një tjetër rezultat historik si ai që arriti në “Stade Lorient” në Rennes ku barazoi 1-1. Goli për kuqezinjtë u shënua nga Mërgim Mavraj, ndërsa barazimin e vulosi Griezmann. Trajneri Gianni de Biasi do ta shpallë listën e lojtarëve gjatë fillimit të muajit qershor.
KOHA JONË SONDAZH

