FSHF merr vendimin final për përjashtimin e Shkumbinit
Komisioni i Apelit FSHF lë në fuqi vendimin për përjashtimin e Shkumbinit këtë sezon.
Dhuna ndaj arbitrit Sokol Bebja nuk është toleruar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe ka vendosur që Shkumbini si vend organizator të përjashtohet nga aktivitetet futbollistike për sezonin 2019-2020 si dhe të dënohet me 500.000 lek gjobë.
Ndërsa një futbollist i saj është dënuar përjetë.
KF Shkumbini, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në organizimin e ndeshjes kundër KF Dinamo, duke mos zbatuar rregullat e sigurisë dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe zbatimin e ligjit si dhe kërcënimin e zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 10/1/o, 31, 57/2, 63/1/b, 63/1/c, 63/1/e, 64/1, 62/2 dhe neni 65 të KDS dënohet me përjashtimin nga çdo aktivitet futbollistik për sezonet 2019-2020 si dhe gjobë në masën 1.000.000 leke. Në bazë të nenit 116 të KDS, gjoba të aplikohet në masën 50%.
Në bazë të nenit 28 të KDS, zbritjen e KF Shkumbini në një kategori më të ulët, në Kampionatin Kombëtar të Futbollit të Kategorisë së Dytë.
Në bazë të nenit 57/2 të KDS, KF Shkumbini, humbet ndeshjen kundër KF Dinamo, në tavolinë me rezultatin 0-3 si dhe i zbriten 3 (tre) pikë nga klasifikimi.
Lojtari i KF Shkumbini, Andi Bakiasi, për goditje të përsëritur dhe kërcënim ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 11/f), 48/1/b), 57/1 të KDS, dënohet me përjashtimin përjetë nga çdo aktivitet futbollistik i organizuar nga FSHF.