FSHF thirrje tifozëve për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Ishujt Faroe
Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri – Ishujt Faroe, (20 nëntor, ora 20:45) si dhe të tregohen të kujdesshëm në ndjekjen e orareve.
NJOFTIMI:
“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të njoftojë të gjithë tifozët shqiptarë që do të jenë të pranishëm në ndeshjen e ditës së nesërme Shqipëri – Ishujt Faroe, (20 nëntor, ora 20:45), e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” mbi orarin e hyrjes në stadiumin “Air Albania”.
Hyrja e tifozëve në stadium do të nisë nga ora 17:45. FSHF kërkon bashkëpunimin e të gjithë tifozëve shqiptarë që do të ndjekin ndeshjen në stadium të paraqiten në kohë, në mënyrë që të mos krijohen radhë ose vonesa dhe të gjithë të jenë në vendin e tyre në ora 20:45, kur pritet të nisë edhe kjo ndeshje. 20 nëntori duhet të jetë një ditë feste për të gjithë.