Futsal/ Trajneri Resuli dhe Kaca njëzëri: Jemi kokë grupi, e kemi detyrim kualifikimin
Kombëtarja e futsal e drejtuar nga trajneri Erind Resuli, ka filluar mbrëmjen e së premtes, grumbullimin përgatitor për raundin kualifikues të Futsal Euro 2022, që do të mbahet në Varna të Bullgarisë, në datat 29 janar-1 shkurt 2020.
Shqipëria bën pjesë në grupin D si kokë grupi sëbashku me Bullgarinë organizatore të turneut zyrtar, Andorran dhe San Marinon.
Resuli në fjalën e tij për FSHF Tv gjatë seancës së parë në pallatin e sportit “Prizren Arena”, në lidhje me grumbullimin dhe stërvitjen e përfaqësueses që drejton, u shpreh:” Grumbullimi ka filluar me këmbë të mbarë, palestra ku stërvitemi dhe hoteli kanë kushte shumë të mira. Siç dhe e shikoni është me gomë dhe me ngrohje, kushte optimale për të përgatitur kombëtaren. I vetmi ndryshim kësaj here në Varna krahasuar me 2017, është fakti se palestra nuk është me parket por tashmë me gomë, ndaj kemi përshtatur kushtet dhe kemi ardhur në qytetin e bukur të Prizrenit.
Kësaj radhe jemi kokë grupi dhe kemi përgjegjësi më të madhe, që të dalim në vend të parë dhe të kualifikohemi në elite round, për hyrjen në Futsal Euro 2022. Të gjitha ekipet ndryshojnë nga viti në vit, mendoj që lufta më e fortë do të jetë me Bullgarinë. Andorra ka ndryshim nga San Marino, pasi tek Andorra aktivizohen futbollistët spanjoll që nuk gjejnë hapësirë tek skuadra e Spanjës. E ritheksoj që e kemi detyrim të dalim të parët.”
Futbollisti Endrit Kaca në fjalën e tij theksoi:” Do të jemi në Prizren deri ditën e martë, datë 28 janar, e më pas do të udhëtojmë për në Bullgari. Situata është e mirë, grupi është gati të sfidojë kundërshtarët që kemi në grup. Atmosfera është shumë e mirë, trajneri është super, çunat janë të motivuar edhe kushtet shumë të mira, pamjet flasin vetë. Na kanë pritur shumë mirë, patriotizmi është gjithmonë pjesë e kombëtares, ne jemi 1 komb. Çdo lojtar ka pritshmëritë dhe synimet e tija, jemi favoritë në këtë grup.”