Gafë e rëndë e portierit Radu, Bologna fiton me përmbysje ndaj Interit (VIDEO)
Interi pëson një humbje të rëndë 2-1 ndaj Bolognës në ndeshjen e prapambetur në Seria A dhe që mund të ketë një ndikim të madh në garën për titullin kampion. Zikaltrit në fakt e nisën ndeshjen mjaft mirë duke gjetur golin pas vetëm tri minutash lojë.
Ivan Perisic shënoi një super gol me një goditje shumë të bukur me të majtën në hyrje të zonës. Reagimi i Bolognës erdhi në minutën e 28-të, me Arnautovic që gjeti rrjetën falë një goditje me kokë brenda zonës.
Interi ishte më këmbëngulës në lojë, por fati nuk ishte në anën e tyre mbrëmjen e sotme. Mungesa e Handanovic do të ndihej shumë 8 minuta nga fundi, kur Radu gaboi rëndë në prekjen e një topi duke i dhënë mundësinë Sansones që të shënonte golin e dytë.
Asnjë nuk do të ndryshonte deri në fund me Interin që mbetet në vendin e dytë me 72 pikë, dy më pak se Milani. Bologna ndërkohë mban vendin e 13-të me 42 pikë, tashmë e shpëtuar nga rënia. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

