Gattuso: Kam marrdhënie të mira me futbollistët, por në stërvitje jam armiku i tyre
Gennaro Gattuso ka lënë pas krahëve Kupën e Italisë, të cilën e fitoi pak ditë më parë, pasi tani është përqendruar totalisht te sfida me Veronën në kampionat.
“Kupa ishte trofeu im i parë në karrierën si trajner dhe për më tepër në një sezon të vështirë, por tani duhet ta lëmë pas krahëve, sepse na pret ndeshja me Veronën, një sfidë me një kundërshtar shumë të fortë, që mund të na vërë në vështirësi. Kemi edhe 12 ndeshje në kampionat, të cilat e kemi detyrim t’i luajmë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Kam marrëdhënie mjaft të mira me të gjithë futbollistët, por në stërvitje jam armiku i tyre më i madh. Nuk lejoj mungesën e angazhimit në stërvitje, pasi aty hidhen themelet për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të marrë rezultat. Kemi punuar shumë për t’u shndërruar në një skuadër solide, por e dimë që kemi ende shumë rrugë përpara.
Objektivi? Vendi i katërt do të jetë i vështirë, pasi Atalanta ka një ndeshje më pak dhe nëse e fiton, shkon 12 pikë para nesh, megjithatë kemi detyrimin të bëjmë më të mirën në takimet që na kanë mbetur dhe të shpresojmë që të renditemi sa më lart. Në Champions na pret një përballje shumë e vështirë me Barcelonën, pasi dihen vlerat e kundërshtarëve, por jemi gati të luajmë shanset tona me optimizëm e besim”, tha trajneri i Napolit.