Gazeta serbe “Kurir”: Cakoviç hero… po kuqezinjtë në Beograd ç’farë ishin?!
Ndeshja e 14 tetorit në Beograd, mes Serbisë dhe Shqipërisë bëri jehonë ndërkombëtare, pasi mbi qiellin e stadiumit të kryeqytetit serb u shfaq një dron me flamurin e Shqipërisë së Madhe. Droni provokoi lojtarët dhe tifozët serbë, që çoi më pas në incidente të rënda dhe në ndërprerjen e ndeshjes. Mirëpo një rast tjetër i ngjashëm u shënua në ndeshjen mbyllëse të javës së 28-të në Kategorinë Superiore, mes Apolonisë dhe Tiranës. Në momentin e një 11-metërshi të dhënë në favor të Tiranës, dhe kur sulmuesi Mario Morina i Tiranës u bë gati të godiste topin,një tifoz u fut në fushë me flamurin kuqezi, ndërkohë që portën fierake e mbronte portieri serb Vilson Cakoviç. Ky i fundit reagoi duke i rrëmbyer flamurin tifozit. Incidenti ngjalli pakënaqësi nga tifozët edhe lojtarët, aq sa trajneri i Apolonisë Artan Mërgjyshi u detyrua të zëvendësonte portierin e Apolonisë. Mirëpo një ditë pas këtij akti, në mediat serbe ka bërë jehon të madhe incidenti që ndodhi pasditen e djelë në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit. Portali serb “Kurir” i njohur për nota nacionaliste i ka kushtuar një postim të veçantë portierit serb, Vilson Cakoviç ku thekson se ai u tregua një hero i vërtetë, sepse i hoqi nga duart në mes të Shqipërisë flamurin kombëtar kuqezi një tifozi që ishte futur në fushën e lojës. Gjithsesi, mediat serbe harrojnë faktin se tifozët dhe lojtarët shqiptarë nuk krijuan incidente dhe portieri serbe, përveç zëvendësimit, nuk ra pre e dhunës siç ndodhi me kuqezinjtë ne Beograd. Ndryshimi është i madh, ndërkohë që portieri serb Cakoviç vështirë se mund të rikthehet më në radhët e Apolonisë për të mbrojtur portën në pjesën e mbetur të këtij sezoni. Ai pas ndeshjes është larguar drejt vendlindjes, ndërkohë që klubi fierak , pritet të zyrtarizojë përjashtimin e tij nga ekipi. Tifozët kërkuan ndërrimin e tij dhe janë shprehur që ai të mos jetë më pjesë e skuadrës pasi futja në fushë e një tifozi, ishte i dënueshëm dhe ndëshkimin nuk mund ta japë një lojtar, që ka ardhur për të luajtur futboll dhe jo për t’u treguar edhe me nacionalist se tifozi në fjalë. Edhe trajneri Artan Mërgjyshi, dhe lojtarët e dënuan aktin, ndërsa vetë portieri u justifikua pas ndeshjes se nuk e dinte se çfarë përfaqësonte flamuri, ku shkruhej se “pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri”. Tirana e fitoi 2-0 ndeshjen dhe Apolonia me këtë humbje, do ta ketë edhe më të vështirë qëndrimin në Superiore. Partizani fitoi 1-0 ndaj Laçit, në ndeshjen tjetër, ndërsa të shtunën në javën e 28-të, Skënderbeu fitoi 5-1 ndaj Elbasanit, Kukësi 1-0 me Flamurtarin dhe Teuta fitoi po 1-0 ndaj Flamurtarit. Skënderbeu kryeson dy pikë para Kukësit dhe ka katër pikë më tepër se Partizani, i vendit të tretë.
Gjyqtarit të ndeshjes Apolonia- Tirana, i thyhen xhamat e makinës
Ndeshja e zhvilluar në Fier, mes Apolonisë e Tiranës, përveç incidentit me flamurin, pati edhe një tjetër episod të pakëndshëm. Enea Jorgji, gjyqtarit kryesor të takimit Tirana-Apolonia, kur doli nga stadiumi, një polic që po ruante rendin dhe qetësinë publike, i është hakërryer , i pakënaqur nga arbitrimi, ndaj donte që t’i kërkonte llogari. Madje e ka specifikuar pakënaqësinë e tij, pasi është marrë me golin e dytë të Tiranës, i cili, sipas policit, nuk ishte i rregullt dhe Jorgji nuk duhet ta lejonte. Mësohet se gjyqtarit i ishin thyer edhe xhamat e makinës pas ndeshjes.
KOHA JONË SONDAZH

