Gazzetta dello Sport e cilëson Medon Berishën si një “thesar” për Leccen
Lecce po përjeton një ngritje të dukshme në formë gjatë javëve të fundit, me fitoren ndaj Torinos që e largoi përkohësisht nga zona e rrezikut në Serie A. Media prestigjioze italiane “Gazzetta dello Sport” ka analizuar këtë transformim dhe ka vënë në dukje se çelësi i suksesit të skuadrës po vjen nga mesfusha, aty ku një emër spikat mbi të gjithë: Medon Berisha.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare po kalon një moment të shkëlqyer, pasi ka gjetur rolin perfekt pas sulmuesit, duke kombinuar fantazinë në manovrën ofensive me soliditetin në fazën mbrojtëse. Pikërisht kundër Torinos, Berisha ishte protagonist absolut me dy asistet vendimtarë për Coulibaly dhe Bandën, duke e çuar totalin e tij sezonal në pesë kontribute direkte në gola, më shumë se çdo lojtar tjetër i Lecces.
Trajneri Eusebio Di Francesco e vlerësoi maksimalisht paraqitjen e tij: “Berisha e interpretoi rolin në mënyrë perfekte, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. E dija që do t’u krijonte probleme kundërshtarëve”, u shpreh ai pas ndeshjes.
Historia e Berishës me Leccen është veçanërisht domethënëse. I marrë nga Pantaleo Korvino nga Young Boys, ai u bë kampion i Italisë me ekipin Primavera, ku shënoi 13 gola. Sot, në Serinë A, ai po konfirmon talentin e tij, duke u shndërruar në një element kyç në mesin e fushës.
KOHA JONË SONDAZH

