Gega: Kombëtarja U-21? Do t’iu besoj më tepër lojtarëve nga Shqipëria
Portugalia , Izraeli, Greqia, Hungaria dhe Lihtenshtejni janë kundërshtarët e kombëtares Shqiptare, U2-1, e drejtuar nga Skënder Gega, pas shortit të hedhur në Nyon, për eliminatoret e Kampionatit Europian , që do të zhvillohet në vitin 2017, në Poloni. Trajneri Skënder Gega, një ditë pas shortit, shprehet i sigurtë se Shqipëria është një ekip në rritje dhe paralajmëron se në të ardhmen do të përfshihen më tepër lojtarë të kampionatit shqiptar. – “Nuk ka grupe të dobëta, por edhe jo të pakalueshme. Konkretisht janë 2-3 skuadra që konsiderohen më të forta, se Shqipëria. Grupi është i fortë, në pamjen e parë planet bëhen gjithmonë në letër, por duke u nisur nga eksperienca e vitit të kaluar, ishin disa ndeshje që konsideroheshin të dobëta. Nuk patëm sukses, ndoshta edhe performancë jo të mirë, pastaj gradualisht u rritëm dhe në ndeshjet e fundit kaluam me sukses,” – shprehjet Gega. Një grup jo i pakalueshëm, sipas Gegës, por me çfarë synimesh i nis Shqipëria këto eliminatore? -“Llogaritë bëhen në fund. Për mua personalisht kryesore është të kalojmë Lihtenshtejn, dhe të triumfojmë ndaj tyre, pastaj deri në shtator do të kemi kohë, të riparojmë gjërat dhe do të jemi gati për sfida shumë më të forta. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Ka shumë ndeshje ku konsiderohemi jo favoritë, por do të bëjmë të pamundurën që të paktën në fushën tonë të paraqitemi denjësisht dhe të marrim fitore ndaj çdo kundërshtari,” – theksoi Gega. Trajneri i ekipit shpresa, Skënder Gega paralajmëron më shumë besim për futbollistët e kampionatit shqiptar. – “Sezonin e kaluar kemi bërë gabimet tona, kemi besuar ndoshta më tepër me disa lojtarë sidomos kur luajnë jashtë, por në fushë kanë treguar se nuk kanë bërë diferencën me një lojtar të kampionatit shqiptar. Do të jemi më të matur, por edhe lojtarët e kampionatit shqiptar duhet të tregojnë veten pasi do të luajmë me ekipe shumë të mira si Portugalia apo Izraeli,” – përfundoi Skënder Gega. Trajneri i ekipit shpresa bën të ditur se deri tani është punuar me fazën e formimit të ekipit dhe në planet e tij janë rreth 40 lojtarë, para eliminatoreve. Në fund ai tha se ata që e kanë refuzuar Shqipërinë një herë, mundet të kenë edhe një shans të dytë.
KOHA JONË SONDAZH

