Gilman Lika: Shumë futbollistë diskutojnë bukën e gojës, shteti të ndërhyjë

Në një kohë tjetër do ta kishim gjetur në stadiumin “Loro Boriçi” ose në fushën sportive ku zakonisht kryejnë seancat stërvitore, por pandemia Covid 19 ka ndërprerë çdo gjë dhe kapitenin e Vllaznisë Gilman Lika e gjejmë në shtëpi.

Pak çaste pasi i kemi rënë citofonit të banesës, ai zbret shkallët e pallatit dhe i bashkohet intervistës për ”Ora News”. Pranon se nuk kanë qënë aspak ditë të zakonta këto javë larg sportit dhe shpreson që dita e kthimit në fushën e blertë të jetë e shpejtë.

”Rri me atë shpresën që të kthehemi sa më shpejt në fushën e blertë.”

Stërvitja e kryer në kushte shtëpie është larg asaj profesionale nën urdhërat e trajnerit e me kolegët. Kapiteni kuqeblu thotë se me situatën e pandemisë në vend, nuk e kupton çasjen e qeverisë më sportin, madje e quan deri diku si një luftë që po i bëhet këtij sektori.

”Duket sikur qeveria shqiptare po lufton futbollin, duke qenë se po hapet biznese, kurse futbollin po e lenë për në fund.”

Ashtu si në shumë sektorë, edhe tek sporti financat kanë pësuar luhatje. Lika thotë se ka lojtarë që diskutojnë edhe bukën, prandaj shteti duhej të kishte vepruar si në vendet e rajonit apo më gjërë.

”Ta siguroj se shumë futbollistë shqiptarë diskutojnë edhe për bukën e gojës. Sigurisht që ne duhet ta falenderojmë federatën për atë fond që kanë caktuar, por është diçka shumë minimale.”

Lojtari i Vllaznisë në këto ditë të muajit të madhërueshem të Ramazanit, si çdo vit, është agjerueshëm. Sivjet për shkak të karantinës, ka qënë më e lehtë, por Lika pranon se i mungojnë bashkimet në lutje me vellezerit mysliman në xhamitë e Shkodrës.

”Sigurisht që ka atë mangësinë e vet sepse na mungon ajo atmosfera e faljes apo e grumbillimit në xhami ose iftar së bashku. Por ka edhe një pjesë tjetër të mirë që kemi qenë më afër familjeve tona dhe kemi qenë më të bashkuar.”

Në fund e ka një mesazh për qeverinë që lidhet drejtëpërdrejtë me sportin.

”Duhet të marrim vendim sa më parë, duhet t’i hedhin sytë te futbolli sepse është një komunitet shumë i madh dhe nuk duhet lënë pas dore siç është bërë për momentin.”

/Ora News

SHKARKO APP