Giroud snobon Interin, kërkon transferimin në kampionatin francez
Olivier Giroud nuk do të transferohet në Seria A, por kërkon rikthimin në Francë. Të paktën kështu ka deklaruar vetë sulmuesi i Chelsea-t, duke u shprehur se rikthimi në vendlindje është një mundësi konkrete për të.
“Do të jetë e vështirë të qëndroj te Chelsea. Unë do të bëj një bisedë me trajnerin. Shanset janë për të ndryshuar mjedis, sepse nuk kam kohë të mjaftueshme për t’u shprehur në fushë. Për momentin jam lojtar i Chelsea. Kam akoma disa ndeshje për të luajtur këtu, përpara se të hapet merkatoja e transferimit (më 1 janar). Atëherë do të ulemi rreth një tryeze me klubin dhe do të kërkoj vendimin më të mirë për mua. Franca është një nga zgjidhjet e mundshme”, deklaroi sulmuesi.
Giroud nuk po luan shumë nën drejtimin e Frank Lampard te “Blutë e Londrës” dhe për këtë arsye ka kërkuar të largohet në mënyrë që të mos humbasë Europianin e vitit të ardhshëm me kombëtaren e “Gjelave”. Për 33-vjeçarin ka shprehur interes konkret Interi, që e sheh si zëvendësues të Lukakut, por deklarata e tij e fundit për një rikthim në Francë mund të mos jetë një lajm i mirë për zikaltrit.