Gjermania barazon ndaj Spanjës, tani ka shanse reale për kualifikim (VIDEO)
Spanja dhe Gjermania bëjnë paqe në super duelin mes tyre, që u mbyll në shifrat 1-1. Ky barazim mban ende në lojë Gjermaninë për kualifikim.
Spanja ishte më dominuese në pjesën e parë duke krijuar disa mundësi shumë të mira. Olmo provoi me një goditje shumë të fortë që do të ndalej nga portiri Neuer dhe më pas do të shkonte në traversë.
Iberikët luajnë më mirë, por në krahun tjetër Gjermania rrezikoi në disa raste me Rudiger, që u duk si sulmues me disa goditje në portë. Madje mbrojtësi dhe do të shënonte me kokë, por që do të anulohej për pozicion jashtë loje.
Në pjesën e dytë, Luis Enrique provoi të ndryshonte dicka duke hedhur në fushë Alvaro Morata. Shumë shpejt do të shpërblehej, pasi sulmuesi i Atleticos shënoi një gol të bukur në minutën e 62-të.
Në krahun tjetër Gjermania u zgjua nga ky gol për t’u hedhur e gjitha në sulm. Në minutën e 83-të, Musiala depërton mirë në zonë, atje ku shoku i ekipit Fullkrug i rrëmben topin dhe me një goditje të fortë arrin ta dërgojë topin në trekëndësh. Minutat e fundit ishin të hapura me të dyja skuadrat që kishin shanse për të rrezikuar.
Pas këtij barazimi në Grupin E, Spanja mbetet në krye me 4 pikë, e ndjekur nga Japonia dhe Kosta Rika me 3 dhe Gjermania me vetëm 1 pikë. Në sfidat e fundit Spanja do të luajë ndaj Japonisë dhe Gjermania ndaj Kosta Rikës, duke pasur shansin që kualifikohen Spanja dhe Gjermania. /R.Lika-Koha Jonë/