Gjermania, në pritje të zhbllokimit të Thomas Muller
Thomas Muller nuk është shfaqur ende në këtë Europian, ndërsa Gjermania duket tej asaj skuadre bindëse, të paktën deri tani teksa pret me kërshëri sulmuesin e saj të rigjejë formën e tij si goleador.
Pesë gola nga Muller e ndihmuan Gjermaninë të fitonte kampionatin botëror në Brazil dy vite më parë, ndërkohë që sulmuesi i krahut i Bayern Munchen shënoi 5 gola edhe në Botërorin e vitit 2010.
Por, talentit gjerman i mungon goli prej 7 ndeshjesh, përfshi këtu edhe dy të fundit në Europianin e Francës.
“Shpresoj të shënoj një gol, por siç e kam thënë edhe përpara këtij turneu, ky nuk është qëllimi im i vetëm”, tha Muller një ditë më parë përpara sfidës së Gjermanisë kundër Irlandës së Veriut në “Parc des Princes” të Parisit, ditën e martë. “Shpresoj që të luajmë një ndeshje të bukur dhe ne të fitojmë”.
Muller erdhi në Francë pas një sezoni tepër të mirë me Bayernin, gjatë të cilit 26-vjeçari shënoi 32 gola e dha 12 asiste në të gjitha kompeticionet me bavarezët, të cilët fituan Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë.
Në ndeshjet kualifikuese për “Euro 2016”, Muller shënoi 9 nga 24 golat e gjermanëve, ndërsa në total ai koleksionon plot 32 gola në 73 ndeshje të luajtura me kombëtaren e “panzer”-ave.
Megjithatë, ai ka pasur një performancë “frustruese” në dy ndeshjet e para të këtij Europiani, qoftë në fitoren 2-0 ndaj Ukrainës, ashtu dhe në barazimin pa gola me Poloninë. Madje, Muller nuk ka pasur as edhe një mundësi të vetme për shënim deri më tani në këtë turne.
“Një ndeshje futbolli është tepër komplekse, edhe pse mund të duket shumë e thjeshtë nga jashtë. Nëse e konsideroni të lehtë në teori apo në tabelën e vizatimit, kjo nuk do të thotë që gjithçka do të realizohet në fushë me po aq thjeshtësi”, tha Muller.
“Një ndeshje futbolli është më shumë sesa thjesht të marrësh vendime. Kjo është arsyeja, përse kurrë nuk mund të thuash që ‘e planifikuam shumë mirë këtë ndeshje dhe u stërvitëm shumë mirë’. Sigurisht që ne stërvitemi në mënyrën më të mirë të mundshme, por pritshmëritë që krijon dikush që e ka për detyrë të flasë, jo gjithmonë shkojnë vaj. Futbolli ndaj është i ndryshëm dhe i papritur, sepse nuk është e qartë sesi do të shkojë një ndeshje përpara se ajo të zhvillohet vërtet në fushë”, shtoi më tej ai.
I pyetur në lidhje me performancat e tij, Muller tha se me siguri që do të flitet për “ndeshje më të gëzueshme” në javën e ardhshme apo në dy javët në vijim.
“Duhet të jemi gjithnjë të uritur dhe të vendosim duart te plagët, në mënyrë që bëjmë përpara dhe ta luajmë topin me një hap në avancë krahasuar me kundërshtarët tanë. Sido që të ndodhë, si kur lavdërohesh në maksimum, ashtu dhe kur kritikohesh ashpër, asnjëherë nuk duhet t’i japësh më shumë vëmendje se ç’duhet këtyre qëndrimeve”.
Edhe menaxheri i kombëtares gjermane, Oliver Bierhoff, “goli i artë” i të cilit i dha Gjermanisë titullin e fundit kampion Europe në vitin 1996, thotë se është e vështirë në kohët e futbollit modern të shkëlqesh në të gjitha momentet. Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low tha gjithashtu se është thjesht çështje kohe derisa Muller të rikthehet te goli edhe në këtë Europian të Francës. “Ai ka nuhatje për golin, kështu që do të vijë radha e tij të jetë vendimtar në ndonjë ndeshje”.