Gjici: Jemi 11 kundër 11, do të luajmë shanset tona ndaj Wolfsburg-ut!
Presidenti i Kukësi, Safet Gjici nuk dorëzohet as kur përballë shorti të vendosë një skuadër të njohur si Wolfsburg. Numri një i verilindorëve në një prononcim për mediat deklaroi se ekipi do të luajë shanset e tij për kualifikimin.
“Shorti është i vështirë. Por në futboll nuk ka asgjë të pamundur. Nuk e dimë gjendjen e ekipit të Ëolfsburgut. Është mbi të gjitha ekip gjerman. Kukësi duhet ta vlerësojë. Nuk ka asgjë të lehtë. Kam bindje dhe besim që stafi dhe lojtarët do ta marrin seriozisht dhe pse jo të kualifikohemi.
Afrime? Ekipi është i plotësuar tashmë. Themi që 1-2 afrime cilësore mund të bëhen, që repartet të jenë plotësuar. Besoj që këto ditë do të behet e ditur 1 ose 2 lojtarë që të bëjnë diferencën. Ekipi i Kukësit është i formuar dhe e ka stofin e duhur. Besoj që me kalimin e ditëve, duhen 2-3 javë kohë që lojtarët të vijnë shumë mirë me pjesën tjetër. Disa lojtarë kanë pasur probleme për shkak të pandemisë.
Favori është që luajmë brenda, por edhe Crvena Zvezda ishte ekip i mirë, por Tirana e meritonte kualifikimin. Dihet çfarë vlera ka Wolfsburgu, por edhe ne kemi vlerat tona, në fushë luajmë 11 kundër 11.
Bonuse do ketë, por do ta shikojmë si do sillen në fushë. Ekipit nuk i kanë munguar premiot asnjëherë. E rëndësishme është që të luajmë futboll dhe të japim maksimumin. Duhet vlerësuar ekipi i Wolfsburgu-t. Trajner Gega e ka në dorë të ndërtojë formacionin. E rëndësishme është të përqendrohemi. ”, u shpreh Gjici për mediat.