Gjici: Kemi lojtarët më cilësorë në Shqipëri, do kemi rezultate të frikshme deri në fund
Kukësi është ende në kërkim të fitores së parë në kampionat, teksa deri më tani, ka marrë vetëm një pikë kundër Teutës. Megjithatë te verilindorët kanë besim se ndaj Laçit do vijë kthesa dhe një nga ata që besojnë së tepërmi është edhe presidenti i nderit Safet Gjici.
Ky i fundit ka folur për mediat për sfidën e nesërme, teksa ka analizuar edhe situatën e krijuar te Kukësi. Gjici shprehet se skuadrës i duhet kohë të përshtatet, pasi janë ndryshuar shumë lojtarë, teksa shton më tej se në skuadër janë lojtarët më të mirë në Shqipëri dhe do bëjnë një kampionat të frikshëm.
“Që kur rindërtuam ekipin kemi thënë që në javët e para se do te kemi këto rezultate. Ekipi ka lojtarët më cilësorë në Shqipëri. Shumëkush thotë se rezultatet flasin, nëse rezultatet janë të mirë edhe ekipi është i mirë. Kjo është e vërtetë. Por ekipi do kohën e vet. Nuk kemi pasur fat edhe për shkak se Gega u infektua me Covid-19. Profesor Gegës i uroj shërim sa më të shpejtë dhe të jetë pranë ekipit.
Padiskutim edhe zv.trajneri po merret me ekipin. Unë mendoj se lojtarët çdo javë do të jenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Besoj se do të kemi rezultate te frikshme deri në fund të sezonit. Nuk i kuptoj disa analistë që flasin për ekipin dhe rezultatet. Ne e dimë se rezultatet nuk mund ti prisnin që në ndeshjen e parë me një ekip të ndërtuar për kampion dhe të rindërtuar rishtazi me shumë lojtarë cilësorë dhe me përvojë. Unë kam bindjen se kjo situatë pandemia i ka rënduar lojtarët psikologjikisht plus edhe rezultatet. Them se nesër me Laçin do të shkarkohen nga ana psikologjike dhe do të kemi një rezultat pozitiv.
Imagjinoni sa qejf e kanë Kukësin disa medie. Kukësi për ata është bërë beterr dhe ferr. Ata thonë inshallah Kukësi nuk del në stërvitje, mos të kapë rezultate. Por Kukësi do të vazhdojë punën e vet. Ne si bashki do e mbështesim maksimalisht dhe po punojmë për infrastrukturën e stadiumit, me qëllim që sa më shpejt ta kthejmë ekipin dhe tifozerinë në shtëpi në stadiumin e ri. Dhe pastaj të shikojmë se çfarë rezultatesh do të marrë ekipi”, u shpreh Gjici.