Gjici: Nuk e pyet kush Shkurtajn, do të ketë ulje pagash për futbollistët

Presidenti i nderit i Kukësit, Safet Gjici, ka dhënë ditën e sotme një intervistë për  “FanZone”, ku foli për objektivin titull dhe për uljen e pagave që pritet të ndodhë në ekipin verilindor.

“Do të ketë ulje pagash. Nuk është se Shkurtaj nuk është dakord, sepse nuk do ta pyeste kush. Do të shohim nëse UEFA dhe Qeveria do të na ndihmojnë, do të shohim rast pas rasti. Ai që nuk punon, nuk mund të paguhet.

Edhe në sezonet e tjera janë paguar 12 muaj, por nuk mund të bësh krahasime, sepse janë bllokuar të gjitha fushat. Futbollistët nuk mund të kërkojnë 100% të pagave, kur nuk janë në punë. Mendoj që duhet të bien dakord të gjitha klubet për shkurtimin e pagave, kur futbollistët nuk kanë qenë në aktivitet. Është dëm i madh, por nuk është faji as i klubeve dhe as i futbollistëve.

Qeveria nuk ka ndihmuar sportin? Edhe qeveria besoj se do ta shikojë edhe sportin, sepse mbajmë me qindra e mijëra familje. Ata që investojnë në sport më shumë humbin sesa fitojnë. Janë me mijëra punonjës që duan pagesat për të mbajtur familjet e tyre. Ashtu siç bëri Kosova, edhe qeveria jonë do ta shohë problemin e sportit.

Pagesat që ka akorduar FSHF? Me sa di unë, do të kalojnë direkt të futbollistët dhe stafi, janë marrë numrat e llogarive të tyre. Paratë kalojnë direkt në llogaritë e atyre që i përfitojmë.

Kampionatin duhet ta vendosë fusha në këto 10 javë që kanë mbetur. 9 pikë nuk janë shumë, por as pak. Kemi ende objektiv titullin, i bie barra trajnerit dhe stafit të tij bashkë me lojtarët për të synuar titullin. Nuk do të ishte e drejtë të mbyllej kampionati tani. Nëse rinis kampionati, ekipi do të jetë në formë, janë kthyer edhe të dëmtuarit. Duhet luftuar për ta marrë titullin në fushë.

Vonesa e pagave? Nuk ka vonesa. Futbollistët kanë marrëveshje me klubin që dy muaj i kanë brenda (të bllokuar) për shkak të objektivit titull. Nuk ka vend për të diskutuar për vonesa të pagave te Kukësi.

 

SHKARKO APP