Gjimshiti “mund” Ismajlin dhe Bajramin
Atalanta mund Empolin në transfertë dhe ngjitet përkohësisht në vend të dytë të klasifikimit në Serie A. Ekipi i Gasperinit ka ndryshuar shumë nga vitet e kaluara, në futbollistë dhe mënyrën e së vepruarit në fushë, por mbeten performancat bindëse.
Zikaltrit kaluan në avantazh me Hateboer në pjesën e parë, ku gjithsesi ndeshja ishte a barabartë edhe pse bergamaskët humben edhe një penallti me Koopmeiners. Pjesa e dytë është pothuajse një monolog i ekipit në transfertë, me gola të anuluar ndaj Zapatës dhe golin e sulmuesit të ri Lookman në minutën e 59-të.
Ndeshja ishte edhe një derbi shqiptarësh, me tre kuqezi në fushë, edhe pse mes tyre vetëm Nedim Bajrami ishte titullar, por pa qenë dot protagonist i rasteve të rrezikshme. Në pjesën e dytë hynë në fushë Ardian Ismajli dhe Berat Gjimshiti, të rikthyer pas dy dëmtimeve domethënëse. Një lajm i mirë për Kombëtaren e Rejas.