Gjimshiti viziton Luginën e Preshevës para grumbullimit me Kombëtaren: Të mundim Serbinë!
Përpara se t’i bashkohet zyrtarisht Kombëtares së Shqipërisë për sfidat kundër Serbisë dhe Letonisë, kapiteni Berat Gjimshiti ndaloi në një vizitë të veçantë në Luginën e Preshevës, vendlindja e prindërve të tij.
Në Bujanoc, mbrojtësi kuqezi u prit nga kryetari i Komunës, Arbër Pajaziti, me një ceremoni të ngrohtë e simbolike. Në hyrje të takimit, Gjimshiti mori një buqetë me lule nga një vajzë e veshur me kostum tradicional shqiptar, ndërsa më pas iu dorëzua edhe një pllakatë mirënjohjeje nga autoritetet lokale.
Në fjalën e tij, kryetari Pajaziti e falënderoi kapitenin për përfaqësimin e denjë të shqiptarëve, duke i përcjellë edhe një porosi:
Pajaziti: “Veç një kërkesë kam: duhet të mundni Serbinë.”
Gjimshiti: “Me kismet.”
Pajaziti: “Të mundim Serbinë.”
Gjimshiti: “Do Zoti.”
Pas kësaj ndalese simbolike, Gjimshiti do t’i bashkohet zyrtarisht përgatitjeve të Kombëtares nën drejtimin e trajnerit Sylvinho, në prag të dy sfidave të rëndësishme. Edhe pse grumbullimi nuk ka nisur ende në mënyrë zyrtare, një pjesë e lojtarëve kuqezi ndodhen tashmë në Durrës, ku kanë filluar stërvitjet për të qenë gati më 7 qershor, kur Shqipëria do të përballet me Serbinë në “Air Albania”.
KOHA JONË SONDAZH

