“Gjithmonë e mendoj një gol ndaj Serbisë”, Seferi i bindur: Nuk do shmangia Anglinë dhe Serbinë, bashkë realizojmë ëndrrën Botëror

Shqipëria bëhet gati për vitin 2025, me kuqezinjtë që synojnë të shkruajnë historinë duke u kualifikuar për herë të parë në një Botëror. Për të arritur këtë objektiv, ekipi i Sylvinhos duhet të kalojë prova të vërteta, teksa jemi në një grup me gjigandë si Anglia dhe me një kundërshtar të hidhur si Serbia. Sulmuesi i kombëtares, Taulant Seferi, në një intervistë për Sport News në News 24, kujton momentet e bukura të vitit 2024, me kulmin që ishte Euro 2024. Në bashkëbisedimin me Trevisa Tufën, Seferi është i bindur se Shqipëria ka potencialin për të realizuar ëndrrën, pra për të shkuar në Botëror.

Seferi, do e “fshije” “Euro2024” për një kualifikimin në Botëror?

Padyshim se po. E kam thënë edhe më herët që kamë qenë tifoz i kombëtares. Botërori do të ishte historia jonë.

 Si ishte ky vit për ty Seferi, cili ishte momenti më i bukur në 2024? Përveç “dopietës” ndaj Çekisë?

Falenderimi i takon zotit. Ky vit ka qenë i suksesshëm si për mua individualisht, ashtu edhe për kombëtaren.

Po pengu më i madh, çfarë do doje të bëje ndryshe, çfarë mund të kishim bërë më mirë?

Padyshim se ishte hera e parë në kombëtare dhe na mungoi eksperienca. Do doja që të kishim një grup  të nivelit tonë. Gjithë ato ekipe kanë fituar trofe. Do doja një grup të nivelit tonë dhe mund të ecnim më shumë në Europian.

Nëse në Evropian mund dhe të justifikoheshin rezultatet, pasi rivalët ishin shumë të fortë, çfarë ndodhi në Ligën e Kombeve, pse që pas kualifikimit në Evropian kemi pësuar një rënie të vazhdueshme, jemi bërë të lexueshëm?

Nuk do thoja që jemi të lexueshëm, por futbolli është bërë i vështirë. Ccdo kundërshtar futet me dhënë maksimumin. Kjo është pjesë e futbollit, ne duhet të shikojmë përpara. Kemi dashur të bëjmë më shumë për kombëtaren por ky është futbolli. Ndonjëherë gjërat nuk shkojnë si do.

E keni diskutuar me trajnerin, mes jush lojtarëve, pse kjo rënie pas kualifikimit në Evropian, në një kohë kur ne, tifozët, prisnim një kombëtare edhe më të fortë…

Është bërë analiza dhe e dijmë se ku kemi gabuar. Kemi bërë gjithashtu edhe ndeshje të mira, si ato ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Duhet të shikojmë përpara. Duhet të përmirësohemi që të bëjmë më mirë në ndeshjet që na presin.

Seferi u kthyem pak pas në kohë, për të kuptuar se çfarë na pret në të ardhmen, të gjithë ishim sy e veshë nga shorti i Botërorit, cila ishte gjëja e parë që të shkoi ndërmend kur goglat na vendosën në një grup me Anglinë dhe Serbinë?

Shortin e ndoqa me vëmendje. Grupi i fortë. Anglia dhe Serbia janë ekipe të forta, por siç e thashë, nëse futesh në fushë i fokusuar, atëherë mund t’i krijosh probleme çdo lloj kundërshtari.

Kë do doje të shmangie Seferi,  Anglinë apo Serbinë?

Kur e ke grupin e fortë, ka edhe anën pozitive, pasi mund të tregosh veten. Nuk do largoja asnjë skuadër nga ky grup.

 10 vite më parë me Serbinë ishte një nga ndeshjet më të bujshme, sot pas 10 vitesh si e sheh këtë përballje, je gati për të luajtur në Beograd?

Ne e mendojmë anën tonë profesionale dhe do shkojmë atje ta tregojmë veten. E kam thënë edhe diku tjetër që duhet të kemi mendjen e ftohtë, kokën e ftohtë dhe zemrën flakë.

Ke fol me djemtë për këtë përballje, si u prit mes jush, me grupit?

Po padyshim që është një grup i fortë. Jemi kënaqur kur kemi parë që kemi rival kaq të fortë. Ne duam të futemi në fushë dhe të japim maksimumin. Shpresoj që të bëjmë krenarë shqiptarët.

E imagjinon një gol ndaj Serbisë dhe një festë me Shqiponjë…

Gjithmonë e mendoj një gol ndaj Serbisë.  Nuk dua të merrem me provokime, do zoti do shënoj dhe të bëj krenarë gjithë shqiptarët.

E vendos kjo përballje dyshe me Serbinë vendin e dytë?

Çdo ndeshje duhet të merret një nga një. Duhet të bëjmë më të mirën në ccdo ndeshje dhe do shikojmë situatën e pikët.

E nisim nga mitiku Wembly ndaj Anglisë, është e pamundur kjo ndeshje…

Anglia është rival i fortë dhe favorit i grupit. Çdo ndeshje i ka veçoritë e veta. Nëse ne jemi të bashkuar mund të luajmë futboll ndaj çdo lloj rivali. Besoj se mund t’i shkaktojmë probleme edhe Anglisë.

Çfarë ndjesie ke ti personalisht Seferi, mund të kualifikohemi në Botëror, apo arritje do ishte dhe vendi i dytë?

Ne duam kualifikimin dhe do bëjmë të pamundurën për këtë.

 Flasim pak për ty në aspektin personal, jeni i kënaqur nga transferimi në Turqi?

Luaj në një ekip që është i mirë për të huajt. Po ndjehem sikur kam kohë këtu, jam i lumtur me të vërtetë.

Mund të kemi diçka të re në janar, apo do e mbyllni këtë sezon te Bodrumspor?

Kam 3 vite kontratë dhe jam i lumtur këtu. Pres rezultate të mira dhe pastaj të shikojmë.

 Më shuaj një kuriozitet, interesohesh më për Tiranën, e sigurt është që i mungon shumë tifozëve bardheblu…

Kur nënshkrova kontratën thashë që erdha këtu që të ndihmoj Tiranën, por vlen edhe e anasjellta. Ndodhi diçka reciproke. Unë e dija qëllimin tim dhe padyshim se Tiranën e kam në zemër. Një nga arsyet se përse jam këtu dhe te kombëtarja është Tirana.

A mund të luaj në Superiore? Futbollit nuk i dihet. Jam i fokusuar këtu.

Seferi, mqs jemi në ditët e fundit të këtij viti, po e mbyllim bashkë këtë edicion të Sport News, më thuaj një ëndërr dhe një objektiv konkret, çfarë kërkon Seferi nga 2025?

Unë shpresoj që të gjithë të jemi mirë me shëndet. Ëndrra ime është që të kualifikohemi në Botëror dhe do të ishte diçka fantastike.

(J.S/BalkanWeb)

SHKARKO APP