Gjykata Sportive konfirmon dënimin për Ibrën dhe Lukakun, tani pritet vendimi i Prokurorisë Federale

Grindja në fushë mes Zlatan Ibrahimovic dhe Romelu Lukakut bëri xhiron e botës, pasi ishte një episod aspak i këndshëm për t’u parë në derbin e Milanos, megjithatë dy sulmuesit duket se ia kanë hedhur paq.

Gjykata Sportive në Itali ka vendosur t’i pezullojë vetëm me një javë dy futbollistët, pra aq sa parashikon kartoni i kuq i Ibrës dhe i verdhi i Lukakut, që plotësoi numrin e dy kartonëve të verdhë të marrë në Kupën e Italisë.

Megjithatë ende nuk ka përfunduar asgjë, pasi Prokuroria Federale mund të ndërhyjë edhe pa procesverbalin e arbitrit, e të marrë në shqyrtim provat televizive për të dënuar dy protagonistët e sherrit aspak të këndshëm në derbi.

Gjithsesi ky organ pranë Federatës Italiane të Futbollit nuk është shprehur ende nëse do të marrë në konsideratë rastin në fjalë, apo do të arkivojë vendimin e marrë nga Gjykata Sportive paraditen e sotme.

SHKARKO APP