Goli historik vetëm 17 vjeç në Champions, Karl është e ardhmja e Bayernit
Lennart Karl do ta kujtojë gjatë debutimin e tij në Champions League. Talenti 17-vjeçar i Bayern Munich-ut, që dje luajti për herë të parë si titullar në garën më prestigjioze të futbollit evropian për klube, shkëlqeu menjëherë në fitoren 4-0 ndaj Club Brugge, duke shënuar një gol historik për karrierën e tij të re.
Mbrojtja belge i la shumë hapësirë, dhe Karl, lindur në vitin 2008, avancoi me topin me siguri deri në kufijtë e zonës, për të lëshuar më pas një goditje të fuqishme që përfundoi nën trekëndësh për golin e parë të ndeshjes.
Me këtë realizim, ai u bë golashënuesi më i ri në historinë e Bayern Munich-ut në Ligën e Kampionëve, si dhe lojtari gjerman më i ri që ka shënuar ndonjëherë në këtë kompeticion. Lajmi u përhap shpejt në mbarë botën. Përveç golit, Karl fitoi edhe çmimin “Lojtari i Ndeshjes”, duke e bërë debutimin e tij edhe më të paharrueshëm.
“Jam shumë i lumtur për golin tim dhe për paraqitjen që bëra. Është një kënaqësi e madhe të luash me këtë skuadër. Ne japim gjithçka në çdo stërvitje dhe kjo shihet në fushë. Gjërat po shkojnë shumë mirë për momentin. Mund të mësoj shumë nga shokët e mi. Të shpallesh edhe ‘Lojtari më i mirë i ndeshjes’ më bën të lumtur, por duhet të vazhdoj të punoj fort dhe të ndërtoj mbi këtë,” tha Karl pas ndeshjes.

KOHA JONË SONDAZH

