Goxhaj thirrje Kryeministrit: Me çfarë të martohem kur kam tre muaj pa u paguar?
Mbrojtësi i Bylisit, Jurgen Goxhaj ka folur hapur në lidhje me ndikimin që do të ketë koronavirusi në xhepat e tij. Në një intervistë për “FanZone”, ai i ka bërë thirrje kryeministrit që të kthejë vëmendjen nga futbolli.
“Jam stërvitur në kushte shtëpie dhe në orare të caktuara kam bërë edhe aerobi në det, pasi e kam afër këtu në Durrës. Rri dhe shikoj golat dhe ato ndërhyrjet, por më mungojnë më shokët e skuadrës se ne pa futboll nuk kemi jetë. Bylisi do të jetë më i fortë se më parë e do të jemi një grup mjaft i fortë. Do të tregojmë forcën tonë, pasi kemi lëshuar pak jo vetëm për fajin tonë, por edhe për disa të tjerëve.
Unë këtu kam qenë, në Shqipëri kam luajtur, por këtu duan më shumë lojtarë të huaj se ne. Te Bylisi ka disa lojtarë të rinj, që duan pak përkrahje për të luajtur më tej. Tregu ynë është më i fortë se i këtyre që vijnë në Superiore.
Largimi nga Tirana? Te Tirana u largova, pasi, duke parë afrimet, nuk do të kisha shumë hapësirë të luaja dhe zgjodha Bylisin, që kishte marrë disa lojtarë, të cilët unë i njihja. Mendoja se aty do të lija gjurmët e mia në Superiore.
Paga e luftës? Kryeministri sheh vetëm ministrat e tij. Ai duhet të na shikojë edhe ne, futbollistët, pasi unë tani jam i fejuar. Me çfarë të martohem kur kam 3 muaj pa u paguar? Faleminderit Federatës që na ndihmoi, pasi mbyllim një plagë të vogël.
Në fund të sezonit mbaroj kontratën time me Bylisin dhe jam lojtar i lirë. Dua të bëj maksimumin këto 10 ndeshje e pastaj të shikojmë, pasi kam pasur oferta edhe nga jashtë vendit”, deklaroi Goxhaj.