Granit Xhaka do të sfidojë të shtunën Serbinë, reagon Taulanti: I sugjerova vëllait të mos shkonte atje!

Taulant Xhaka ishte në fushë në Beograd, në vitin 2014, kur u anulua ndeshja me kombëtaren shqiptare kundër Serbisë. Të shtunën vëllai i tij do të udhëtojë në Serbi me Zvicrën për të luajtur ndaj vendasve, një ndeshje ku me siguri nuk do të pritet aspak mirë. Taulanti i ka sugjeruar vëllait të tij që të mos jetë i pranishëm në këtë ndeshje.

“Unë e di vetë se sa presion dhe emocione duhet të durosh në këtë lloj ndeshje. I sugjerova Granitit që të fliste me trajnerin Murat Yakin dhe ndoshta ta evitonte këtë ndeshje, por të gjithë e njohim vëllanë tim, dëshiron ta luajë çdo ndeshje me Zvicrën.

Nuk është e lehtë ta mbash veten nën kontroll për 90 minuta, kur gjërat bëhen sërish kaq emocionale. Graniti duhet të qëndrojë i qetë, të luajë futboll, t’i injorojë provokimet. Është e lehtë të thuhet, por në fund gjithçka ka të bëjë me një lojë futbolli, që duhet fituar”, tha Taulanti.

Mendimi është i ngjashëm kur pyet futbollistët në Zvicër. “Unë pres një lojë normale futbolli dhe mendoj se të dyja palët kanë mësuar nga e kaluara”, thotë ish-shoku i kombëtares helvete, Admir Mehmedi.

SHKARKO APP