Granit Xhaka kthehet në Londër, refuzon të marrë vaksinën
Granit Xhaka do të rikthehet në Londër sot pas dy javëve izolim në Zvicër pas infektimit me Covid-19.
Xhaka u infektua me koronavirus në ditën kur Kombëtarja e tij Zvicra përballej me Greqinë në një ndeshje miqësore para ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës.
Si pasojë, mesfushori nga Kosova mungoi në ndeshjet e Zvicrës dhe në fitoren e parë të Arsenalit në Premierligë kundër Norwich City të shtunën.
Infektimi i tij me Covid-19 zbuloi se ai nuk kishte pranuar ta merrte vaksinën për mbrojtje nga virusi, duke nxitur kritika të mëdha nga të gjitha anët.
Xhaka ishte lojtari i vetëm i pambrojtur plotësisht në pikëpamjen shëndetësore në ekipin zviceran, sipas Adrian Arnold, shefit për media në Federatën e Futbollit të Zvicrës, pasi derisa të tjerët ishin vaksinuar, ai nuk kishte dashur ta merrte vaksinën kundër virusit.
“Granit Xhaka nuk është vaksinuar. Ai është lojtar i pa vaksinuar. Ne i kemi lënë (vendimin për vaksinim) në dorën e secilit lojtar, është zgjedhje personale për çdo lojtar, siç është për çdo person tjetër në Zvicër. Ne e kemi bërë një rekomandim që të vaksinohen të gjithë. Ai vendosi vetë (kundër vaksinimit). Është e drejta e tij të mos vaksinohet”, kishte thënë Arnold.
Madje gazeta e përditshmes zvicerane, Blick, kohë më parë iu bëri thirrje shqiptarëve të Zvicrës në gjuhën shqipe që të vaksinohen. Ndërsa Morinho me një koment në instagram i bëri thirrje që të merrte vaksinën.