Grezda sqaron pse goditi me grusht kundërshtarin: S’mund të duroja fyerjet e tij!
Eros Grezda u bë protagonist i ngjarjeje të shëmtuar në fund të gjysmëfinales së dytë të Kupës së Kroacisë mes Rijekas dhe Osijek që përfundoi me fitoren 3-2 me përmbysje të skuadrës vendase.
Futbollisti shqiptar, që është pjesë e Osijek, luajti pë 62, ndërkohë që në fundin e ndeshjes pati një përplasje me sulmuesin Colak, të cilin e goditi me grusht. Pas kësaj ngjarjeje të shëmtuar Grezda ka reaguar në faqen e klubit të tij Osijek duke shpjeguar arsyet e veprimeve të tija që sollën një dhunë të papreçendtë mes futbollistëve të dy skuadrave.
“Më vjen shumë keq që u gjenda në qendër të vëmendjes së mediave, sidomos për kontekstin e çdo gjëje që ka ndodhur përpara dhe gjatë ndeshjes me Rijekan. Të gjithë ne ishim të zhgënjyer nga fakti se si sportistë u dëmtuam gjatë takimit dhe na u mohua fitorja, të cilës i ishim pranë. Nuk është e lehtë për ne të durojmë padrejtësinë në fushë dhe të qëndrojmë të qetë, sidomos kur dikush na fyen.
Kur vjen puna te fyerjet e rënda në aspekt personal dhe kombëtar, qoftë si njeri, qoftë si sportist jam shumë i ndjeshëm. E gjitha kjo ndodhi jo vetëm gjatë ndeshjes, por dhe pas saj. Unë po qëndroja përpara autobusit të skuadrës sime dhe sulmuesi rival Colak po kalonte para meje në mënyrë provokuese.
Jam përballur me provokimet e tij gjatë gjithë ndeshjes. Jetoj për shumë vite në Kroaci. I përmbush detyrimet e mia si qytetar dhe i paguaj taksat dhe nuk e meritoj që dikush të më fyejë për ndjenja kombëtare. Do të marr të gjitha hapat ligjor për të mbrojtur veten dhe nderin tim”, shprehet Grezda pas ngjarjes së ndodhur.
Eros Grezda rrezikon të dënohet nga 2 deri në 6 ndeshje nga komisioni i Etikës në Federatën Kroate të Futbolli, por në rast se gjesti i tij cilësohet i rrezikshëm, shqiptari mund të pezullohet për 6 muaj nga futbolli.