Hakan Calhanoglu, njeriu i ndeshjeve të mëdha tek Interi
Hakan Calhanoglu tek Interi është kthyer në njeriun e ndeshjeve të mëdha. Mesfushori turk me golin e tij i dha fitoren zikaltërve ndaj Barcelonës. Numri 20 ka lënë gjurmë në shumë sfida vendimtare.
Sezonin që lamë pas, Calhanoglu realizoi 7 gola në kampionat dhe 1 në Kupën e Italisë, duke i shtuar këtyre shifrave edhe 13 asist. Katër nga shtatë golat e parë me zikaltrit mesfushori turk i ka realizuar me emrat big të Serie A.
Fillimisht viktimë është ish-ekipi i tij Milani me një 11-metërsh, e më pas Napoli e Roma, me këta të fundit që e pësojnë direkt nga një goditje këndi. Golave me peshë i shtohet edhe një penallti e realizuar ndaj Juventusit në kampionat. Ky ishte goli i vetëm i “Derbit të Italisë” që i rezervoi zikaltërve pikët e plota.
Qershia mbi tortë megjithatë, vjen në finalen e Kupës së Italisë, ku Calhanoglu realizon sërish ndaj Juventusit, po me një 11-metërsh. Këtë herë goli sjell barazimin e shifrave, që u pasua më pas dhe nga përmbysja. Mesfushori turk po tregon se mund të jetë vendimtar në ekipin e Inzaghit dhe kur i duhet të luajë në rolin e Brozovic.