Halili: Akt terrorist në derbi? Ishin thjesht tymuese ngjyrë blu
Presidenti i Tiranës, Refik Halili ka komentuar për herë të parë ngjarjet e dhunshme që ndodhën vetëm 60 minuta para startit të derbit të kryeqytetit.
Numri 1 i klubit bardheblu, që ishte edhe pritës në takimin e të dielës në mbrëmje, hodhi poshtë akuzat e drejtuesve të Partizanit për tentativën për “akt terrorist me eksploziv”.
Halili shtoi gjithashtu se një përgjegjësi të veçantë në ngjarjet që prishën atmosferën e derbit, ka edhe kompania që ishte kontraktuar për organizimin e ndeshjes, pasi nuk kishte ushtruar kontroll gjatë hyrjes së tifozëve, për të bllokuar futjen e sendeve të palejuara.
“Nuk ka asnjë element që të provojë këto pretendime. Hetimet do të tregojnë se objektet e gjetura, që pretendohet se ishin eksploziv, janë thjeshtë tymuese ngjyrë blu të vendosura nga individë që kundërshtojnë vendimin e mëparshëm të klubit të Tiranës, që në stadiumin “Selman Stërmasi” të lejohet të luajë edhe klubi rival i Partizanit. Tirana distancohet nga çdo akt i dhunshëm fizik ose verbal”, tha presidenti i Tiranës, Refik Halili nw emisionin “Top Talk”.