Hetimet për tragjedinë e Diogo Jota, Lamborghini ishte me shpejtësi të madhe
Bota e futbollit u tronditu nga një lajm i rëndë: Diogo Jota, sulmuesi i Liverpool-it, dhe vëllai i tij André Silva, futbollist i Penafiel-it humbën jetën në një aksident tragjik rrugor në Spanjë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur teksa të dy po udhëtonin drejt Santander-it, ku do të hipnin në një traget me destinacion Anglinë.
Sipas mediave spanjolle dhe burimeve pranë Guardia Civil, dy futbollistët po udhëtonin me një Lamborghini Huracán të marrë me qira, duke përshkuar autostradën A-52 në drejtim të Benavente. Aksidenti fatal ndodhi në kilometrin 65 të autostradës, kur, gjatë një tentative për të parakaluar një automjet tjetër, njëra nga gomat e makinës shpërtheu, duke bërë që automjeti të dalë nga rruga dhe të marrë flakë.
Aksidenti rezultoi vdekjeprurës për të dy futbollistët, të cilët po udhëtonin që Diogo Jota të mund të bashkohej me përgatitjet parasezonale të Liverpool-it, pasi mjekët i kishin ndaluar të udhëtonte me avion për shkak të një ndërhyrjeje të fundit kirurgjikale në mushkëri.
Sipas hetimeve paraprake, të cilat janë ende në zhvillim, mjeti luksoz po lëvizte me një shpejtësi shumë më të madhe se limiti i lejuar prej 120 km/h. Hetuesit kanë dalë në këtë përfundim pas analizës së gjurmëve të gomave në asfalt. Gjithashtu, nga të dhënat e mbledhura deri tani, konfirmohet se drejtuesi i mjetit ishte vetë Diogo Jota. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

