Higuain nga hero në “tradhtar”, Totenhem i pamëshirshëm (VIDEO)
Juventus nuk arrin që të ruajë avantazhin e dyfishtë në ndeshjen e parë ndaj Totenhem. Bardhezinjtë nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 2-2 në takimin e parë të zhvilluar në “Allianz Stadium”, teksa skuadra angleze është e favorizuar ndjeshëm për duelin e kthimit. Të dyja skuadrat dhurojnë një pjesë të parë të çmendur. Bardhezinjtë e nisën në mënyrë fantastike që në minutën e dytë, me Pjaniç që shërbeu në mënyrë fantastike për Gonzalo Higuain, i cili me një rrotullim të bukur arrin që të shënojë golin e avantazhit, teksa në këtë rast portieri Loris nuk kishte asnjë mundësi reagimi.
Juventus vazhdon të sulmojë, teksa në minutën e 9-të Bernandeski fiton një 11-metërsh. Nga pika e bardhë shkon Higuain, i cili arrin që të mposhtë për herë të dytë portierin francez. Ndeshja është shumë e ndezur, teksa pas shënimit të dy golave, vendasit tërhiqen më shumë në gjysmëfushën e tyre, ndërkohë që skuadra angleze humbet disa mundësi të mira shënimi me Herri Kejn, që ndalet në mënyrën fantastike nga Bufon. Bardhezinjtë ndërkohë krijojnë një shans të artë me Higuain, por goditja e argjentinasit përfundon ngjitur me shtyllën. Në minutën e 35-të, Totenhem gjen golin e parë me Herri Kejn, i cili shfrytëzon një vendosje të gabuar të mbrojtjes së vendasve, kalon portierin Bufon dhe më pas e dërgon në rrjetë.
Në fundin e pjesës së parë Juventus ka mundësinë e artë për të shënuar golin e tretë, pasi Dugllas Kosta fiton një tjetër penallti pas një faulli të Aurier. Higuain shkon sërish për ta ekzekutuar, por këtë herë “El Pipita” ndalet nga traversa. Fraksioni i dytë nis më i qetë, teksa të dyja skuadrat janë më pak agresive në sulm, por Totenhem është më i qartë në kontrollimin e lojës. Në minutën e 72-të, Eriksen ekzekuton në mënyrë të përkryer një goditje dënimi, duke mos i dhënë mundësi reagimi portierit Bufon. Deri në fundin e ndeshjes, Juventus nuk do të arrinte që të shënonte tjetër gol. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

