“Hija” e Mourinho-s shfaqet në Milano, Chivu duhet të nisë të shqetësohet
Interi ka nisur sezonin në mënyrën më të dobët të dekadës së fundit, me vetëm 3 pikë në 3 ndeshje. Disfata ndaj Juventusit ka hapur diskutime mbi të ardhmen e trajnerit Cristian Chivu, por për momentin klubi zikaltër duket se i ka rinovuar besimin rumunit, duke kërkuar reagim të menjëhershëm në fushë.
Sipas mediave italiane, hija e Jose Mourinhos ka nisur të shfaqet sërish mbi “Appiano Gentile”, me një rikthim të bujshëm që nuk përjashtohet. Megjithatë, Chivu do të ketë disa ndeshje për të treguar veten dhe për të mbajtur pankinën.
Vendimet e tij pritet të jenë të forta, duke filluar nga porta: ndaj Ajax në Champions, Josef Martinez shihet si favorit për të marrë vendin e titullarit, ndërsa Yann Sommer rrezikon stolin pas gabimeve në Torino.
Në shënjestër të kritikave ka përfunduar edhe Marcus Thuram. Kamerat e kapën duke buzëqeshur me vëllanë e tij, Kephren, në momentin që Inter pësoi golin e katërt, gjë që ka ngjallur polemika në rrjet. Më pas është zbuluar se francezi thjesht po i kërkonte lojtarit të Juventusit të pranonte faullin ndaj sulmuesit Bonny.

KOHA JONË SONDAZH

