Homazhet për Ramazan Rragamin/ Presidenti Meta: Kampion si në sport, ashtu edhe në jetën e përditshme
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ishte i pranishëm në homazhet e zhvilluara këtë të dielë për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit shkodran, Ramazan Rragami. Në një prononcim për mediat, kreu i shtetit shprehet se Rragami nuk ishte vetëm një kampion në futboll, por edhe një kampion në jetën e përditshme si qytetar.
“Nuk mund të mos vija në Shkodër për t’i dhënë lamtumirën një futbollisti legjendë. Një emër që bëri historinë siç ishte Ramazan Rragami. Sa herë të kujtojmë atë barazim historik me Gjermaninë në vitin 67’ që skualifikoi nënkampionët e botës, do kujtojmë Ramazan Rragamin.
Sa herë të kujtojmë arritjet më të mëdha të futbollit tonë, në mënyrë të veçantë kualifikimin e shpresës sonë në vitin 83, në 8 më të mirat e Europës, pasi skualifikoi dhe ajo Gjermaninë, do kujtojmë arkitektin e atij ekipi që ishte Ramazan Rragamin.
Jam i bindur që të gjithë do ta kujtojmë gjithmonë, njeriun që vendosi rekord në historinë dhe që ndryshpoi rregulloren e UEFA-s, që ngriti kupën pasi goditi 7 herë nga pika e 11 metërshit dhe shënoi të shtatën herë. Njeri me kontribute të jashtëzakonshme për futbollin shkodran dhe shqiptarë.
Ngushëllime më të sinqerta dhe të ndjera jo vetëm familjarëve, por bashkëpunëtorëve dhe komunitetit shkodran. Ramazan Rragami nuk ishte vetëm një kampion i zakonshëm në fushën e blertë, por kampion si qytetar në jetën e përditshme”.