Hoxha: Derbi pika e kthesës, ekipi ka pasur doza euforie!

Partizani kërkon fitoren në fundjavë në derbin ndaj Tiranës, pas një barazimi dhe një humbje në dy sfidat e fundit. Kapiteni Alban Hoxha ka dhënë një intervistë për mediat, ku ka pranuar se “Të Kuqtë” kanë bërë hapa fals në dy ndeshjet e fundit, por theksoi se në Superiore ka një garë të fortë, ku dhe mund të lësh pikë ndaj çdo skuadre..

“Na presin ndeshje të vështira, megjithatë kampionati ka treguar se nuk ka ndeshje të lehta. Në dy ndeshjet e fundit kemi lënë 5 pikë, ndërkohë që kishim llogaritur fitore të sigurta. Duhet të përqendrohemi te derbi dhe të japim maksimumin, ashtu si para dy ndeshjeve të fundit.

Më vjen mirë që pas dy hapave fals, vjen ndeshja derbi, pasi dihet rëndësia që ka dhe motivimi që sjell te lojtarët. Besoj se këtë ndeshje do të japim më të mirën dhe kjo do të jetë pika jonë e kthesës. Çdo ekip ka momentet e veta të oshilacioneve, por shpresoj që në derbi të vijë kthesa..

Ndoshta ka pasur edhe pak doza euforie, por kampionati prandaj është i bukur, pasi është i paparashikueshëm. Shpresoj që të jemi ulur me këmbë në tokë dhe të lëmë mënjanë euforinë, pasi duhet të fokusohemi te ndeshjet dhe stërvitjet, për të arritur objektivat.

Titulli? E kam thënë gjithmonë, që janë disa skuadra, si Laçi, Teuta, Kukësi e Tirana, që janë ngritur në ndeshjet e fundit. Flasim me shokët dhe e dimë që është e vështirë, por nëse ne bëjmë mirë punën tonë, atëherë gjërat do të shkojnë mirë”, u shpreh kapiteni i Partizanit.

SHKARKO APP