Humbi djalin duke luajtur futboll, Cafu: Vazhdoj të qaj çdo ditë!
Ish-futbollisti i njohur Cafu ka rrëfyer për herë të parë momentin e tij më të vështirë në jetë, teksa humbi djalin e tij në moshën 30 vjeç gjatë një ndeshje kalçeto me disa nga miqtë e tij.
“Unë qaj çdo ditë, kur jam vetëm. Kur kthehem në shtëpi, përpiqem të jem i fortë. Në fund të fundit, jam shtylla e familjes. Zakonisht qaj në trafik, u telefonoj miqve vetëm për të qarë. Ata madje e dinë dhe heshtin, kështu që unë qaj, qaj dhe qaj. Të qarit sikur më qetëson gjoksin. Nuk kam humbur vetëm fëmijën, kam humbur një mik futbolli, shoqëruesin tim të udhëtimeve dhe birrës. Kam humbur gjithçka. Danilo më mbushte shtëpinë.
Kishim planifikuar një ndeshje me miqtë, por unë po nxitoja, sepse do të udhëtoja për punë në SHBA. Kur nisi loja, i njoftova të gjithë për largimin para kohe. Danilo ishte në të njëjtin ekip me mua. Në fakt, ai u largua para meje, ndërsa unë vazhdova të luaj. Tre minuta më vonë vura re një tronditje jashtë fushës. Nga kurioziteti, shkova për të parë se çfarë po ndodhte dhe u përballa me djalin tim, që kishte konvulsione. U frikësova, sepse kishte një histori delikate të zemrës.
Ende nuk e kam përtypur faktin që varrosa një djalë. Unë shkoj në varreza çdo pesë ditë, nuk kam pasur guxim e zemër të hyj në dhomën e tij, kurrë nuk u futa përsëri në fushën ku ndodhi gjëma. Të varrosësh fëmijën është dramë e madhe, ndryshon nga konteksti i përgjithshëm i gjithçkaje që ndien gjatë gjithë jetës”, deklaroi Cafu.