Humbi jetën në fushë, Dwamena u braktis nga prindërit dhe u rrit mes vështirësive nga gjyshja

Raphael Dwamena do të mbahet mend për lojën e bukur dhe golat spektakolarë që ka shënuar në skuadra të ndryshme, mes tyre së fundmi edhe me Egnatian në Shqipëri, përpara se të mbyllte sytë për herë të fundit ditën e shtunë, pasi pësoi atak kardiak gjatë ndeshjes ndaj Partizanit dhe më pas humbi jetën në spital.

Në një intervistë që kishte dhënë për medien zviceriane “NZZ” më 19 tetor 2022, rreth një vit më parë, ganezi kishte rrëfyer jetën dhe fëmijërinë e tij, e cila kishte shumë dhimbje. Ndërsa rrëfente fëmijërinë e tij, Dwamena tregoi se gjithçka filloi në Nkaukau, një qytet i vogël në Gana. Raphael u rrit mes vështirësive nga gjyshja e tij, pasi prindërit të pamartuar e braktisën që pas lindjes. Kur u rrit, edhe pse ishte tepër vonë, takoi sërish prindërit, në kohën kur tashmë ishte bërë një lojtar i njohur në Gana dhe talenti i tij kishte marrë hov.

Nëse Raphael-i i vogël e donte futbollin, gjyshja mendonte ndryshe. Sipas saj, futbolli ishte humbje kohe dhe se shkolla duhet të ishte e para. Sa herë që gjyshen e zinte gjumi, djali fshehurazi, pa e vënë re, dilte nga shtëpia dhe zbriste në lagje për të luajtur futboll me fëmijët e tjerë. Pavarësisht dashurisë së madhe të djalit për futbollin, gjyshja prej kohësh nuk ndryshonte mendim.

SHKARKO APP