Humbja kundër Maqedonisë së Veriut, Kosova merr vendimin për trajnerin Challandes

Bernard Challandes do të vazhdojë të jetë trajner i Kosovës. Humbja ndaj Maqedonisë së Veriut dhe në përgjithësi rezultatet e dobëta në ndeshjet e Nation League e lëkundën disi stolin e zviceranit, gjithsesi drejtuesit e FFK-së me në krye presidentin Ademi, vendosën të vazhdonin bashkëpunimin e nisur.

Zvicerani ka marrë përgjegjësinë për dështimin ndaj Maqedonisë së Veriut. Lajmi për vazhdimin e bashkëpunimit është konfirmuar edhe nga vetë federata nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare.

“Presidenti Ademi shfaqi besimin e tij ndaj trajnerit Bernard Challandes dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke kërkuar nga ta që të jenë edhe më vigjilentë në këtë periudhë jo të lehtë për ekipin dhe që të jenë të gatshëm për të ndihmuar futbollistët ta përballojnë këtë situatë, si dhe që t’u japin mundësi të gjithëve dhe të krijojnë ekipin më të mirë”, thuhet mes tjerash në komunikatë. Kosova do të përballet të dielën me Slloveninë, dhe më 14 tetor me Greqinë në Athinë.

SHKARKO APP