Hysaj asnjëherë kaq pranë Atleticos, 24 orë para dasmës madhështore në Shkodër
Elseid Hysaj me siguri që do të largohet nga Napoli gjatë kësaj vere. E thonë të gjitha mediat sportive në Itali dhe e konfirmoi edhe vetë futbollisti gjatë grumbullimit të kombëtares. Mbrojtësi shkodran është në kërkim të një skuadre të re, por fillimisht i duhet që të mendojë për dasmën madhështore që ka organizuar nesër në kalanë e Rozafës. Gjithsesi gazetari i njohur i “Sportitalia”, Alfredo Pedulla, raporton se ai është më pranë se kurrë një transferimit te Atletico Madrid në Spanjë.
“Elseid Hysaj do të martohet nesër në Shqipëri dhe shumë shpejt do të ketë zhvillime të rëndësishme nga merkato. Madje që tani, pasi në orët e fundit Atletico Madrid ka përmirësuar ndjeshëm ofertën për të te Napoli, duke arritur vlerën e 20 milionë eurove. Asnjëherë nuk ka qenë kaq i fortë interesi nga ‘Los Colchoneros’, te cilët do të largojnë edhe Arias. Mbrojtësi shqiptar është një kërkesë e trajnerit Diego Simeone. Atletico ka shumë interes për të. Hysaj në fakt dëshiron që të rikthehet duke punuar me Sarrin, por mungesa e një propozimi konkret nga Juventusi, dhe oferta e Atleticos mund ta bindin të ikë në Spanjë. Në pritje të zhvillimeve, ndërkohë Hysaj do të martohet nesër …”, deklaroi Pedulla.
Dasma madhështore si Sergio Ramos

Elseidi do të shkojë në altar bashkë me Fiorenza Lekstakaj, me të cilën është në një lidhje prej vitesh dhe kanë së bashku një djalë. Ajo nuk është e panjohur për shqiptarët, sepse është shpallur “Miss Albania 2013”, ndërkohë që janë njohur së bashku në Itali. Do të jetë një dasmë e madhe, me rreth 400 të ftuar, e cila do të organizohet sipas traditave të dhëndrit dhe nuses. Dasma do të jetë e përbashkët për të dyja familjet dhe do të zhvillohet në një vend shumë të veçantë në Shkodër: Kalanë e Rozafës. Pritet një ceremoni shumë e kuruar, duke sfiduar Sergio Ramos, i cili pak ditë më parë zhvilloi ceremoninë e dasmës me Pilar Rubion dhe kishte 500 të ftuar. /Rozalb Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

