Hysaj: Bajrami do të na ndihmojë shumë, ta nisim me këmbën e mbarë ndaj Andorras!

Në konferencën e radhës për shtyp të Kombëtares kuqezi para ndeshjes me Andorrën ishte Elseid Hysaj. Mbrojtësi i Napolit në fjalën e tij theksoi rëndësinë për t’i nisur mbarë eliminatoret e Botërorit

“Ta fillojmë me këmbën e mbarë, ndeshjet e para janë më të rëndësishme. Të jemi kompaktë si në ndeshjet e fundit në Nations League. Duhet ta nisim mbarë me Andorrën. Kemi shumë lojtarë me minutazh të madh dhe formë të mirë. Jemi një grup fantastik, lojtarë si Bajrami mund të na japin një dorë më shumë.

Bajrami? Kemi folur sepse kam luajtur kundër tij, është lojtar shumë i mirë. Është në një skuadër ku ka mundësi të ecë përpara. Kualitetet i ka, presion nuk do të ketë, është qytet i vogël dhe i qetë, thjesht duhet të tregojë vlerat.

Kalendari i ngjeshur? Jemi mësuar, edhe ne po luajmë çdo 3 ditë. U bë një vit që po luajmë në këto kushte. Nuk do të jetë problem për asnjë nga lojtarët.

Edicioni i ri? Nuk ka ndryshime, jemi i njëjti grup, pak a shumë. Treguam që po luanim futboll të mirë, na eci mbarë. Duhet të kemi pak nga fryma e kaluar dhe pak nga e reja me Bajramin dhe të tjerët.

Jemi adaptuar dhe kemi marrë vesh si duhet të lëviznim në fushë. Në fillim ishte rrëmujë dhe nuk po kuptonim lëvizjet. Nuk ka kohë skuadra të stërvitet 100 për qind. Duhet të kemi besim te trajneri dhe ai te ne. E kemi kuptuar skemën dhe jemi duke ecur mirë.

Andorra? Është më mirë kur e njeh një kundërshtar. Janë lojtarë që dinë të luajnë futboll. Duhet të jemi të përqendruar dhe ta bëjmë ndeshjen e lehtë për të mos pasur probleme.”

SHKARKO APP