Hysaj bëhet çështje në Itali, portali napolitan: Përse luajti ai dhe jo Ghoulam apo Mario Rui?

Aktivizimi i Elseid Hysaj në sfidën e fundit kundër Sassuolos që u mbyll në barazim ka krijuar pakënaqësi te disa tifozë dhe një media pranë klubit napolitan (areanapoli.it). Kujtojmë që shkodrani shkaktoi një penallti dhe për këtë fakt media në fjalë ka reaguar si më poshtë:

“Përse vazhdojmë të bëjmë të njëjtat gabime? Hysaj titullar në krahun e majtë, duke lënë në pankinë Faouzi Ghoulam dhe Mario Rui, që janë mbrojtës të krahut të majtë. Cili është motivi? Ky është dyshimi që kanë tifozët. A ka sens që të besohet te një futbollist që është në fundin e kontratës te Napoli dhe që nuk do ta rinovojë?

Është një çështje, por gabimi më i madh është këtu, pasi disa muaj më pas do të luajë për ngjyra të tjera. Këto mendime nuk vlejnë vetëm për shqiptarin, por edhe për Nikola Maksimovic (i mbaron kontrata në qershor) dhe Timouè Bakayoko (te Napoli në formë huazimi). Në klube të tjera, lojtarët në këto situata nuk janë zgjedhje të para”, evidentohet në shkrimin e portalit italian.

Hysaj me shumë mundësi do të largohet në verë në drejtim të Romës, ose të një tjetër ekipi më emër në Europë. Gattuso nuk e ka fshehur besimin ndaj tij, por klubi napolitan nuk ka bërë asnjë lëvizje për rinovimin. /R.Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP