Hysaj: Krenar që punoj me Sarrin, ta shfrytëzojmë këtë moment për të mposhtur Juventusin
Lazio do të luajë nesër një ndeshje delikate në kampionat ndaj Juventusit, që do të vendosë shumë dhe për fatin e sezonit të bardhekaltëve. Në një intervistë dhënë së fundmi, Elseid Hysaj është shprehur se ekipi i tij duhet të shfrytëzojë momentin pozitiv në një ndeshje të tillë për të qëndruar lart në renditje.
“Jemi në një moment pozitiv, duhet të përpiqemi ta shfrytëzojmë për të marrë një fitore që do të ishte shumë e rëndësishme për renditjen tonë. Megjithatë, ne e dimë që edhe Juventusi është në formë të mirë dhe ka shumë lojtarë me cilësi të lartë, ndaj do të duhet vëmendje maksimale nga fillimi deri në fund të ndeshjes.
24 ndeshje këtë sezon? Mendoj se ka ndryshime të mëdha nga sezoni i kaluar. Ndjej më shumë besim nga trajneri dhe ekipi dhe si rrjedhojë po ndihem më mirë në fushë. Ne të gjithë po punojmë mirë, kështu që është më e lehtë të japim gjithçka.
Roli ideal në mbrojtje? Është më e lehtë në krahun e djathtë sepse është roli im i natyrshëm, por kam luajtur shumë ndeshje edhe në krahun tjetër. Për mua ndryshime të vogla, përshtatem me gjithçka, e rëndësishme është të dal në fushë sepse stërvitem çdo ditë për të qenë gati.
Tifozeria? Gjatë javës e përgatitëm këtë ndeshje në detaje, fatkeqësisht në dy vitet e fundit nuk kemi arritur t’i mposhtim. Do të duhet të japim diçka më shumë në krahasim me ndeshjet e fundit ndaj tyre. Shpresoj që këtë herë të shkojë ndryshe, padyshim falë ndihmës së tifozëve tanë.
314 ndeshje me Sarrin si trajner? Një krenari dhe një nder i madh. Sarrin e njoh prej shumë vitesh, para Lazios kemi qenë bashkë te Empoli dhe Napoli. Atij i pëlqen të përmirësojë çdo lojtar dhe shpresoj të jem në gjendje që të punoj me të dhe për shumë vite të tjera”, deklaroi Hysaj për mediat italiane. /R.Lika-Koha Jonë/