Hysaj: Ta nisim me këmbën e parë, është rikthyer harmonia në grup!

Kapiteni i Kombëtares, Elseid Hysaj në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Bjellorusisë është shprehur i bindur se mund të marrim maksimumin. Futbollisti shkodran evidentoi faktin se lojtarët nuk janë në formën e tyre më të mirë, por harmonia në grup është një ndër pikat e forta që mund të na ndihmojë.

“Kjo periudhë e gjatë shkëputje na ka afruar shumë me njeri-tjetrin, sepse tashmë kemi më shumë mall për njëri-tjetrin. Është rikthyer harmonia në Kombëtare. Forma ime nuk është 100%, sepse kam vetëm një javë që kam filluar stërvitjen. Ndoshta kjo do të jetë mangësi, pasi skuadra kundërshtare e ka filluar kampionatin. Ne kjo mund të na kushtëzojë.

Roli? Kam provuar shumë role të ndryshme te Napoli dhe Kombëtarja. Kam provuar shumë role me fanellën kuqezi dhe nga eksperienca që kam, më ka ndihmuar që të lëviz mirë. Nuk e kam problem, luaj ku të dojë trajneri, unë jap më të mirën time.

Largimet dhe të rinjtë? Falënderoj Mavrajn dhe Bashën për atë që kanë dhënë për Kombëtaren sepse e meritojnë dhe kanë një kontribut të jashtëzakonshëm. Por, çdo vit do të ketë prurje. Çdo kush ka vendin e vet. Kombëtarja jonë po nxjerr elementë të rinj, ka lojtarë që luajnë në Seria A dhe luajnë në klube të rëndësishme.

Shpresojmë që të vazhdojmë të nxjerrim sa më shumë lojtarë të rinj. Të rinjtë janë lojtarë të mirë, por edhe shumë profesionist. Nuk kemi shumë kohë që të rrimë me ta. Vetëm në një javë ne duhet që të bashkohemi e të mendojmë për ndeshjet. Kështu që ata do të na bëjnë shumë punë, duke mësuar edhe më shumë nga lojtarët me eksperiencë.

Objektivat? E rëndësishme që ta fillojmë mirë ndeshjen e parë, ta nisim me këmbën e mbarë. Duhet që të marrim sa më shumë pikë në ndeshjet e para dhe pastaj të vijojmë me optimizëm”, deklaroi kapiteni i Kombëtares sonë.

SHKARKO APP