I ati i Taulantit dhe Granit Xhakës: Jam babai më i lumtur në botë
Ragip Xhaka, i ati i Granitit dhe Taulantit, po përjeton një moment të veçantë në jetë, pasi të dy djemtë e tij do të jenë pjesë e Euro 2016, edhe pse me dy Kombëtare të ndryshme. Një detaj që gazeta më e madhe zvicerane “Blick” e cilëson si të pazakontë, duke e zhvendosur vëmendjen në familjen më të famshme të futbollit në Zvicër. Graniti do të mbajë të veshur fanellën e vendit që e bëri të famshëm, ndërsa Taulanti është veshur kuqezi. Dy zgjedhje të ndryshme, por që nuk i ndajnë rrugët e dy lojtarëve, të cilët do të udhëtojnë drejt Francës, ndoshta edhe me të njëjtin avion. – “Ndonjëherë nuk arrij ta besoj këtë gjë. Unë jam babai më i lumtur në botë“, thekson Ragipi, për “Blick”. Plot 25 vjet më parë, ai dhe familja e tij mbërritën si refugjatë në Zvicër duke nisur atje një jetë të re, por asnjëherë nuk e kishin menduar se dy djemtë e tyre do të bëheshin yje futbolli dhe do të luanin për dy vende të ndryshme. “Kam një ndjesi që Shqipëria dhe Zvicra nuk do të shortohen në të njëjtin grup, por edhe nëse ndodh, unë do të jem neutralë në sfidën mes tyre“, shton ai. “Blick” e mbyll shkrimin, duke kujtuar se dy vëllezërit nuk janë ndeshur asnjëherë me njëri-tjetrin në nivel kombëtaresh, pasi në vitin 2014 kur Zvicra zhvilloi dy ndeshje me Shqipërinë në Eliminatoret e Botërorit “Brazil 2014”, Taulanti nuk ishte pjesë e skuadrës së Gianni De Biasit. Gjithsesi, rrugët e tyre mund të kryqëzohen një ditë dhe ajo ditë mund të jetë e afërt. Nëse dy djemtë e familjes Xhaka do të jenë kundërshtarë për dy kombëtare të ndryshme, për Ragipin, Taulanti dhe Graniti nuk ndahen sepse janë krenaria e familjes së tij.
KOHA JONË SONDAZH

