I dëmtuar dhe pa kontratë, Edi Reja largohet me keqardhje!
Objektivi kryesor në kualifikueset “Euro2020” ishte vendi i tretë, ndërsa një objektiv po aq i rëndësishëm ishte rifreskimi i ekipit pas epokës De Biasi. Edi Reja dështoi në synimin e parë por për këtë objektiv mund ti kërkosh pak llogari ndërsa e qartë për të gjithë është freskia që italiani i ka sjell ekipit Kombëtar, shumë lojtarë të rinjë të cilët të bëjnë të besosh se e ardhmja mund të jetë më e mirë. Edi Reja ndjen keqardhje vetëm për faktin që nuk kishte më shumë kohë për të punuar për përfaqësuesen kuqezi:
“Para se të përballosh një kampionat të tillë, duhet një vit të njihesh me ekipin, dhe unë nuk pata mundësi ta bëj. U mundova të sjell disa elementë të rinj. Provuam dhe me Kamberin. Është me rëndësi të fusësh lojtarë të rinj. Është jetike për një ekip si Shqipëria. Grupi i De Biazit ka arritur një farë moshe, dhe duhen zëvendësuar. Jam i kënaqur, sepse ekipi ka pësuar rritje. Jam i kënaqur në përgjithësi si ka ecur kjo fushatë. Do mundohemi të bëjmë më mirë dhe të fusim lojtarë të tjerë”.
Sfida kundër Francës, “de jure” ishte dhe fundi i kontratës së Edi Rejas me Federatën Shqiptare të Futbollit, por të dy palët publikisht kanë shprehur dëshirën e tyre për të vijuar bashkëpunimin, dëshirë të cilën italiani e konfirmoi sërish:
“Do të flas me presidentin për të ardhmen time pasi kontrata ime përfundon këtu. Kemi bërë një punë të mirë dhe më ka pëlqyer. Do të doja të vazhdoja me Kombëtaren shqiptare”
Reja nuk ishte në formën e tij më mirë pas sfidës kundër Francës, një dëmtim në krah bëri që italiani të mos ishte shumë i disponueshëm për mediat por sinjalet që dha ishin të qarta, Reja beson te ky ekip, Shqipëria i ka mundësitë të bëjë më mirë në të ardhmen.