Ibrahimovic: Erdha për të ndryshuar Milanin, luaj deri sa të mundem!

Ibrahimoviç është lideri i Milanit që nuk njeh humbje në kampionatin italian që prej marsit të vitit të kaluar dhe që kryeson me 45 pikë më tepër nga ndjekësit më të afërt. Në një intervistë të dhënë për sajtin zyrtar të UEFA-s, gjiganti suedez ka folur për sekretin e formës së mirë, që e ka sjellë në krye të listës së golashënuesve.

“Jeta është e përbërë vazhdimisht nga sfida të ndryshme dhe unë pasi fitova thuajse gjithçka, isha në dyshim nëse duhej të vija sërish te Milani apo jo. Megjithatë mund të them se ishte një sfidë vërtetë e madhe për mua, të rikthehesha këtu, të ndryshoja mentalitetin dhe t’i transmetoja skuadrës atë çfarë është Milani, Milani që njoh unë dhe që njeh e gjithë bota.

Unë kur zbres në fushë nxjerr në pah karakterin tim, qoftë kjo në një seancë stërvitore, apo në një ndeshje finale. I vë shumë nën presion shokët e mi, sepse dua që ata të nxjerrin më të mirën. Disa e vlerësojnë, të tjerë jo dhe aq, pro ka edhe nga ata që nuk e përballojnë.

Sa herë që zbres në fushë ndihem si një fëmijë që ha një karamele për herë të parë. Kam kuptuar se topi është miku im më i mirë, ndaj dua të rri me të për pjesën e mbetur të jetës. Ndjehem si Benjamin Button dhe rinohem çdo ditë që kalon. Premtoj se do të vijoj të luaj derisa të mundem ta bëj këtë në nivele të larta. Kur të mos jem më në gjendje të jap më të mirën, do të ndalem, pasi dua të ndihem i gjallë dhe i vlefshëm në fushën e lojës.

Kur u riktheva te Milani, të gjithë më kujtuan të tjerët që ishin rikthyer dhe nuk kishin arritur të japin atë që kishin bërë më herët me këtë fanellë. Sekreti im është se nuk e kam humbur kurrë pasionin për atë që bëj në fushën e lojës”, deklaroi Ibrahimovic.

SHKARKO APP